Një defekt në parkun argëtues Oaks Park, në juglindje të Portlandit, Oregon, i la dy adoleshente të varura përmbys në një lartësi prej 30 metrash për rreth 25 minuta. Dy vite pas ngjarjes, ato janë dëmshpërblyer me gjithsej 550,000 dollarë.
Të lidhura
None found
Chitlali Gomez-Salais, e cila në atë kohë ishte 13 vjeç, dhe Evie Yanota, 14 vjeçe, kishin shkuar në park për të festuar përfundimin e vitit shkollor gjatë një ekskursioni veror. Më 14 qershor 2024, udhëtimi në lojën AtmosFEAR mori një kthesë të frikshme, kur atraksioni që kryen rrotullime 360-gradëshe u ndal papritur.
Të dyja vajzat qëndruan me kokën poshtë derisa ekipet e shpëtimit arritën t’i nxirrnin nga situata. Pas gjyqit, i cili nisi të hënën, gjykata vendosi që secila prej tyre të merrte 275,000 dollarë.
Gjatë dëshmisë, adoleshentet treguan se kishin përjetuar dhimbje të forta koke për shkak të grumbullimit të gjakut në kokë. Ato gjithashtu panë pasagjerë të tjerë të karrocës duke vjellë, të tronditur nga frika dhe presioni i qëndrimit pezull.
Rreziku se rripat e sigurimit mund të hapeshin në çdo çast ishte shqetësimi kryesor i tyre. “Mendova se ndoshta nuk na kishte mbetur shumë kohë”, deklaroi Evie Yanota. Ndërsa Xitlali Gomez-Salais, e përlotur, u shpreh: “Nuk doja që njerëzit të më shihnin të vdisja.”
Pas incidentit, Xitlali tha se vuajti nga ankthi dhe se për një periudhë përdori antidepresivë. Ajo nisi të kishte frikë nga ashensorët dhe fluturimet, pasi mendonte se mund të mbetej e bllokuar ose të humbiste jetën në çdo moment.
Evie Yanota, e cila është kampione koreane e arteve marciale, deklaroi se pasojat fizike e detyruan të ndërpriste përkohësisht pjesëmarrjen në garat e saj. Të dyja vajzat, tashmë 16 vjeçe, morën mbështetje psikologjike.
Në karrocën e AtmosFEAR ndodheshin rreth 30 persona kur ndodhi defekti. Nëntë pasagjerë ngritën padi, por shtatë prej tyre arritën marrëveshje jashtë gjykatës për shuma që nuk u bënë publike. Dy adoleshentet ishin të vetmet që vijuan procesin gjyqësor, duke kërkuar gjithsej 2 milionë dollarë nga Oaks Park dhe prodhuesi italian Zamperla.
Të dyja palët pranuan se mosfunksionimi i atraksionit kishte sjellë përgjegjësi, pasi karroca nuk duhej të kryente rrotullim të plotë 360-gradësh për shkak të shpërndarjes së pabarabartë të peshës së pasagjerëve. Megjithatë, avokatët e kompanive pretenduan se dëmet fizike dhe psikologjike nuk kishin qenë afatgjata dhe se vajzat e kishin vijuar jetën normalisht.
Gjatë procesit u raportua gjithashtu se Evie Yanota ishte rikthyer në artet marciale dhe kishte fituar tituj kombëtarë, pavarësisht pretendimit se një dëmtim në shpatull mund ta pengonte të garonte sërish.
Pas vendimit, Oaks Park deklaroi se “siguria është përparësia jonë absolute”. Parku shtoi se do të vazhdonte bashkëpunimin me prodhuesit dhe rregullatorët shtetërorë për të garantuar mbrojtjen e vizitorëve.
