Sarah Khalifa, një nga prezantueset e njohura të televizionit në Egjipt, është dënuar me vdekje së bashku me 11 persona të tjerë nga një gjykatë egjiptiane. Çështja lidhet me prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Të lidhura
None found
39-vjeçarja u bë e njohur për drejtimin e programit televiziv “Mission Impossible”, i cili fokusohej kryesisht te temat e sigurisë dhe kriminalitetit.
Sipas mediave shtetërore të Egjiptit, të pandehurit u shpallën fajtorë për formimin e një grupi të organizuar kriminal, që dyshohet se siguronte lëndë dhe materiale për prodhimin e drogave sintetike me synim shpërndarjen e tyre, raporton Guardian. Dosja penale përfshin edhe akuza për posedim të paligjshëm të armëve dhe municioneve.
Gjatë hetimit, autoritetet sekuestruan mbi 750 kilogramë lëndë narkotike dhe materiale të papërpunuara. Në dy apartamente u zbuluan gjithashtu hapësira që dyshohet se ishin përshtatur si laboratorë për prodhimin e drogave, ndërsa operacioni çoi edhe në gjetjen e armëve dhe municioneve pa licencë.
Para shpalljes së dënimit, gjykata kërkoi opinionin fetar të Myftiut të Madh të Egjiptit, një hap i detyrueshëm sipas ligjit egjiptian në rastet ku mund të vendoset dënimi me vdekje. Megjithatë, vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe mund të ankimohet.
Përveç punës në televizion, Khalifa ka në pronësi një klinikë të kirurgjisë estetike dhe një kompani produksioni që organizon evente dhe festa.
Në një procedim tjetër të lidhur me të njëjtën dosje, prezantuesja dhe disa të pandehur të tjerë janë dënuar me pesë vite burg. Ky dënim lidhet me akuzat për rrëmbimin dhe sulmin ndaj një të riu.
Legjislacioni egjiptian e parashikon dënimin kapital për disa prej veprave më të rënda penale, mes tyre vrasjen e paramenduar, terrorizmin, raste të caktuara të përdhunimit dhe trafikimin e drogës.
Të dhënat e Komisionit Egjiptian për të Drejtat dhe Liritë tregojnë se gjatë vitit 2025 në Egjipt janë dhënë 541 vendime me dënim me vdekje.
