Grupi militant libanez Hezbollah konfirmoi të mërkurën vrasjen e komandantit të lartë ushtarak Fuad Shukr. Konfirmimi vjen më shumë se 24 orë pasi një sulm izraelit goditi një ndërtesë në periferinë jugore të kryeqytetit libanez ku ai ndodhej.
Grupi njoftoi se Sekretari i Përgjithshëm i tyre Hassan Nasrallah, do të mbante një fjalim me rastin e funeralit të komandantit Shukr, të enjten. Trupi i komandantit të Hezbollahut u gjet në rrënojat e një ndërtese në periferinë jugore të Bejrutit, të mërkurën.
Ushtria izraelite njoftoi të martën në mbrëmje se kishte vrarë Shukrin, të cilin e fajësoi për një sulm në fundjavë që la të vdekur mbi 10 persona, kryesisht fëmijë në Lartësitë e Golanit që kontrollohen nga Izraeli. Grupi Hezbollah që ka mbështetjen e Iranit, mohoi çdo përfshirje në sulmin e së shtunës.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se Shukri “ka gjakun e shumë izraelitëve në duart e tij. Tani, ne kemi treguar se gjaku i popullit tonë ka një çmim dhe se nuk ka vend të paarritshëm për forcat tona për këtë qëllim”. Një zyrtar që merret me çështjet e sigurisë në një vend tjetër në rajon konfirmoi në kushte anonimiteti se Komandanti Shukr kishte vdekur nga plagët. Të paktën dy gra dhe dy fëmijë u vranë gjithashtu në sulmin izraelit, thanë burimet mjekësore dhe të sigurisë.
Shukri ishte këshilltar i udhëheqësit të Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, sipas njoftimit të ushtrisë izraelite për vrasjen e tij. Sulmi në Bejrut erdhi pak para vrasjes së udhëheqësit të Hamasit Ismail Haniyeh në orët e para të së mërkurës në Iran, në një zhvillim që ka rritur më tej frikën për përshkallëzim më të gjerë rajonal. Hezbollahu është aleat i Hamasit./ VOA