Komisioni Evropian ka hedhur në tryezë një propozim që parashikon përjashtimin nga statusi i mbrojtjes së përkohshme të shtetasve ukrainas që janë në moshë për shërbim ushtarak. Kjo nismë mbështetet nga disa vende anëtare të BE-së, si edhe nga vetë Ukraina.
Duke prezantuar ndryshimet e planifikuara për statusin e mbrojtjes së ukrainasve në BE, komisioneri për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, sqaroi se “propozimi ynë parashikon që të sapoardhurve, të cilëve sipas ligjit ukrainas u ndalohet të largohen nga Ukraina për shkak të detyrimeve të tyre ushtarake, të mos u jepet mbrojtje e përkohshme”.
Të lidhura
None found
Pas një takimi të ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksemburg, ai theksoi se, në parim, ky status për qytetarët ukrainas duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi, por me mundësinë e vendosjes së kushteve të reja.
Që prej marsit 2022, ukrainasit që u detyruan të largohen nga vendi i tyre për shkak të agresionit rus përfitojnë mbrojtje të përkohshme në Bashkimin Evropian. Ky mekanizëm, i cili funksionon me relativisht pak burokraci, është i vlefshëm deri në fillim të marsit 2027 dhe pritet të zgjatet më tej.
Dallimi nga procedura e azilit është se në këtë rast nuk zhvillohet shqyrtim individual për çdo person dhe mbrojtja ka natyrë të përkohshme.
Një zyrtar i BE-së bëri të ditur se propozimi i Komisionit Evropian është hartuar në mënyrë gjinore neutrale. Megjithatë, në praktikë, zbatimi i tij pritet të prekë veçanërisht burrat nga mosha 23 deri në 60 vjeç. Sipas zyrtarëve të Komisionit, rregulli i ri nuk parashikohet të zbatohet për ukrainasit që ndodhen tashmë në BE dhe do të hyjë në fuqi vetëm pasi të miratohet zyrtarisht nga Këshilli i BE-së dhe të botohet në Gazetën Zyrtare.
Sipas Eurostat, më 31 mars në BE kishte gjithsej 4,33 milionë ukrainas me këtë status të veçantë mbrojtjeje. Nga këta, afro 1,3 milionë persona, ose 29,4 për qind e totalit në BE, ndodheshin në Gjermani. Pas saj renditej Polonia me pak më shumë se 950.000 persona, ose 22,2 për qind, dhe Çekia me rreth 380.000 persona, ose 8,8 për qind. Autoritetet e BE-së bëjnë të ditur se pak më shumë se një e katërta e tyre janë burra të rritur ukrainas.
Planet e Komisionit janë kritikuar nga Michael O’Flaherty, komisioner për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, i cili nuk është institucion i BE-së. Ai shprehu shqetësimin për “presionin në rritje për t’i ndërprerë para kohe masat e mbrojtjes së përkohshme” dhe për të kufizuar qasjen, mes të tjerash, për burrat në moshë për shërbim ushtarak. Sipas tij, ky është momenti për “më shumë solidaritet, dhe jo më pak”.
Nga ana e saj, BE e justifikon nismën me argumentin se kërkesa ka ardhur nga Ukraina dhe se nevoja e saj për mbrojtje, si edhe vendosja e detyrimeve ushtarake për popullsinë, janë legjitime. Të premten, komisioneri Brunner tha se ky propozim është koordinuar edhe me shtetet anëtare.
Çështja ishte diskutuar edhe më herët këtë muaj në Luksemburg nga ministrat e Brendshëm të BE-së. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, u shpreh në favor të përjashtimit të burrave në moshë për shërbim ushtarak nga statusi i mbrojtjes, por politikani i CSU-së nënvizoi se personat e prekur do të mund të paraqesin sërish kërkesë për azil.
Në të njëjtën linjë u pozicionua edhe ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, i cili deklaroi se është “shumë fort” pro ndërprerjes së mbrojtjes automatike për burrat në moshë për shërbim ushtarak.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Estonisë, Igor Taro, mbajti një qëndrim skeptik. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte zgjatja e direktivës për mbrojtje të përkohshme në formën aktuale dhe pa përjashtime, megjithëse ai mbështeti edhe zhvillimin e bisedimeve me Ukrainën.
Debati në BE po zhvillohet tani për disa arsye. Siç u shpreh ministri gjerman Alexander Dobrindt, nga njëra anë në rend të ditës është vetë zgjatja e masave, ndërsa nga ana tjetër “në muajt e fundit është rritur edhe numri i personave në moshë për shërbim ushtarak”. Për meshkujt ukrainas nga mosha 23 deri në 60 vjeç, në parim zbatohet ndalesa e daljes nga vendi. Ata janë të detyruar për shërbim ushtarak nga mosha 18 vjeç, por për shërbim lufte mund të thirren vetëm nga mosha 25 vjeç, raporton agjencia dpa. Që nga vera e kaluar, largimi nga vendi për meshkujt mes 18 dhe 23 vjeç është lejuar, gjë që solli përkohësisht rritje të numrit të atyre që u larguan.
Kjo temë nuk është e re. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar disa herë se Ukraina nuk duhet të lejojë largimin e burrave të rinj në moshë për shërbim ushtarak, në mënyrë që ata të mund të shërbejnë në vendin e tyre. Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj, gjatë vizitës së tij në Berlin në muajin prill, theksoi se rikthimi i burrave në moshë për shërbim ushtarak i shërben gjithashtu interesave të forcave të armatosura ukrainase. Sipas tij, në fund bëhet fjalë për një “çështje drejtësie”. /DW
