Njëmbëdhjetë senatore italiane i dhanë një formë të pazakontë protestës së tyre në Senat, duke u shfaqur në Palazzo Madama të veshura me minifunde. Ky veprim erdhi si përgjigje ndaj deklaratave të fundit të ministrit të Jashtëm, Antonio Tajani.
Të lidhura
None found
Gjatë një debati publik, lideri i Forza Italia, që njëkohësisht mban postin e ministrit të Jashtëm, kishte thënë se “Më mirë të martohesh me një grua me fund më të gjatë, më pak të dukshme, që nuk të tradhton”. Fraza u bë virale në rrjetet sociale dhe shkaktoi një ortek reagimesh në mbarë Italinë.
Përballë presionit publik, Tajani kërkoi ndjesë gjatë një vizite institucionale në Uashington. “Më vjen keq nëse ka njerëz që janë ndier të ofenduar nga ajo që kam thënë, por unë kurrë nuk kam menduar të ofendoj gratë. Nuk e kam bërë kurrë në jetën time, as në jetën private dhe as në atë publike”, u shpreh ai.
Megjithatë, një grup senatoresh nga radhët e opozitës nuk u kënaqën me faljen. Nisma për një protestë simbolike u hodh nga Raffaella Paita, përfaqësuese e Italia Viva. Asaj iu bashkuan dhjetë kolege të tjera, duke përfshirë Susanna Camusso, Silvia Fregolent, Cecilia D’Elia, Daniela Sbrollini, Ilaria Cucchi, Valeria Valente, Dafne Musolino, Simona Malpezzi, Cristina Tajani dhe Julia Unterberger.
Të gjitha senatoret, që vinin nga Partia Demokratike (PD), Italia Viva dhe Aleanca e të Gjelbërve dhe e së Majtës (AVS), donin të kundërshtonin me praninë e tyre perceptimin se mënyra e veshjes së një gruaje mund të jetë tregues i besnikërisë në një marrëdhënie.
