Berisha “non grata” nga SHBA, Balla: Vendim kaq i bukur, sa nuk ka nevojë për koment

Ish-kryeministri Sali Berisha, ditën e djeshme, u shpall “non grata” nga SHBA-të. Ky vendim ka sjellë shumë reagime nga politikënt shqiptarë, dhe nuk ka munguar as një koment nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se është një vendim i bukur dhe se, secili duhet ta lexojë ashtu siç është.

Më tej ai tha që shpresonte që drejtësia të vepronte me paanshmëri të plotë.

“Të gjithë ata që bënë gjithçka për të kundërshtuar reformën në drejtësi, pasi duhet ta themi për ata që se kanë kuptuar, se themeli i kësaj reforme nuk ishte ringritja nga themelet i paanshmërisë. Por një nga themelet e tjera ishte dhe procesi i vettingut. Procesi i vettingut sot, që ta dini ju kolegë të opozitës, në shumë vende të tjera, sugjerohet si një instrument për të shpëtuar sistemin e drejtësisë nga korrupsioni. PS në 2016 donte të prishte aleancën me LSI, pasi ajo donte të bllokonte reformën në drejtësi. Ne duhet të vazhdojmë si Kuvend që ta mbështesim çuarjen përpara të reformës në drejtësi. Në muajt e kaluar ne kemi votuar pjesë të kësaj pakete. Mendoj se partitë politike duhet ta dinë se çuarja para e reformës është rruga e Shqipërisë sonë drejt BE.

Ndaj le ta lëmë aq të bukur siç është vendimi i sekretarit të Shtetit dhe mos të hyjmë në komentet dhe në nuancat e atij vendimi, pasi është aq i bukur. Secili ta lexojë ashtu siç është vendimi. Unë mendoj se duhet të kuptojmë se SHBA-të kanë zgjedhur këto lloj instrumentesh për t’i dhënë mesazhe. Para ça kohës iu dha mesazhi kryetarit të parlamentit të Rumanisë. Këto janë çështje që i takojnë drejtësisë, pasi të paktën nga ato që janë bërë publike, unë jam një nga personat që kanë dorëzuar kallëzim në prokurori ndaj Berishës. Shpresoj që drejtësia të veprojë në paanshmëri të plotë. Ky Kuvend ka një mëritë të veçantë, pasi kur është diskutuar dhe kur kemi pasur çështje të rendit të ditës apo ligje për të çuar para reformën në drejtësi, unë ju jam mirënjohës. Kuvendi nuk mund te miratojë ligje pas datës 8 korrik.”, tha Balla./albeu.com

Shtuar 20.05.2021 12:48