Bëri shaka me Holokaustin, shkarkohet drejtori i ceremonisë së hapjes së Lojrave Olimpike

Komiteti Organizator i Lojrave Olimpike të Tokios shkarkoi të enjten drejtorin e ceremonisë së hapjes së ngjarjes sportive, për shkak të një shakaje me Holokaustin, që ai kishte bërë gjatë një shfaqjeje komike në vitin 1998.

Presidenti i Komitetit Seiko Hashimoto bëri të ditur një ditë përpara ceremonisë së hapjes, se drejtori Kentaro Kobayashi është shkarkuar nga detyra. Ai u akuzua se kishte bërë shaka me Holokaustin gjatë shfaqjes.

“Ne zbuluam se zoti Kobayashi, në interpretimin e tij, ka përdorur një frazë që përqesh një tragjedi historike”, tha zoti Hashimoto. “Ne kërkojmë ndjesë thellë për këtë zhvillim një ditë para ceremonisë së hapjes, si dhe për shqetësimin që u kemi shkaktuar shumë palëve të përfshira, si në Tokio ashtu edhe në pjesë të tjera të vendit”.

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Tokios, të cilat u shtynë për shkak të pandemisë, është planifikuar të premten. Ceremonia do të mbahet pa spektatorë si masë për të parandaluar përhapjen e infeksioneve me koronavirus. Megjithatë pritet të marrin pjesë një numër i caktuar të ftuarish, zyrtarë, e përfaqësues të medias./VOA


Shtuar 23.07.2021 08:27