“Kurti dështoi me Vuçiç”, Haradinaj: Kërkesat e shtruara në tryezë janë qesharake

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka komentuar takimin e parë të kryeministrit Albin Kurtit me Aleksandër Vuçiç si dështim dhe kërkesat e paraqitura në tryezë nga kryeministri i Kosovës si qesharake.

“Është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij. Prioritet i parë i tij na qenka shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA. Qesharake. Ashtu si edhe prioriteti i dytë, marrëveshja për paqe mes dy vendeve, e po ashtu edhe qasja për të pagjeturit”, reagoi Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës thotë se njohja reciproke mes dy vendeve është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës.

“Njohja nënkupton edhe paqen, edhe statusin më të avancuar ekonomik, por edhe hap shtigje për zbulimin e të vërtetës për të pagjeturit. Përndryshe, kjo qasje për të biseduar për tema, pa e njohur shtetet njëra tjetrën, siç kishte ndodhur më parë në procesin e dialogut, nuk ka rezultate, e në këtë fazë është edhe e rrezikshme për vendin”, shkruan ai.

Shtuar 15.06.2021 18:54