Deklarata e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, për valëvitjen e flamurit të Serbisë mbi Prizren, si dhe pjesëmarrja e Milan Radoiçiqit në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kragujevc, kanë nxitur reagimin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca.
Të lidhura
None found
Në një postim në rrjetin social “X”, Konjufca i ka cilësuar qëndrimet e fundit të zyrtarëve serbë si dëshmi se Serbia vazhdon të ketë ambicie territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Ai ka theksuar se retorika politike e Beogradit tregon që këto synime mbeten të pranishme dhe nuk i përkasin vetëm së kaluarës.
Ministri iu referua deklaratës që Daçiq bëri këtë javë gjatë një tubimi zgjedhor, sipas së cilës flamuri serb do të valëvitet një ditë mbi Prizren, qytet në jug të Kosovës. Sipas Konjufcës, kjo deklaratë i bëri sërish të dukshme ambiciet e ripërtërira territoriale të Serbisë.
Në reagimin e tij, Konjufca solli në vëmendje edhe shfaqjen e Milan Radoiçiqit përkrah Danilo Vuçiqit, vetëm dy ditë pas deklaratës së Daçiqit, në tubimin e partisë së Aleksandar Vuçiqit në Kragujevc. Ai theksoi se Radoiçiq kërkohet nga Interpoli për sulmin terrorist në Banjskë, të cilin e organizoi, ndërsa në atë tubim Vuçiqi kërcënoi përsëri pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Për Konjufcën, këto ngjarje shkojnë përtej provokimeve të veçuara dhe pasqyrojnë vazhdimin e një doktrine të rrezikshme politike. Ai e përshkroi këtë doktrinë si ndërthurje të retorikës së zgjerimit territorial me mungesën e ndëshkimit për agresionin e armatosur.
Ministri argumentoi se pretendimet e Serbisë për paqe dhe integrim evropian bien ndesh me veprimet e zyrtarëve të saj të lartë, të cilët vënë hapur në pikëpyetje sovranitetin e Republikës së Kosovës. Në të njëjtën kohë, sipas tij, organizatori i pranuar i sulmit vdekjeprurës terrorist në Banjskë vazhdon të jetë i lirë dhe shfaqet publikisht pranë familjes së presidentit, në vend që të japë llogari para drejtësisë.
Konjufca i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i dënojë qartë këto veprime dhe të kërkojë përgjegjësi. Ai theksoi se as sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk mund të bëhen objekt negociatash.






