Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sonte në pritjen e organizuar për përfundimin e mandatit të Shefit të EULEX-it, Gjeneralmajor Giovanni Pietro Barbano.
Në adresimin e saj, Haxhiu u shpreh se raporti mes Kosovës dhe EULEX-it është ndërtuar përgjatë trajtimit të çështjeve të vështira dhe të ndjeshme.
Të lidhura
None found
Ajo nënvizoi angazhimin e Misionit në disa fusha me rëndësi të veçantë për shoqërinë tonë, duke përmendur drejtësinë tranzicionale, si dhe reagimin institucional ndaj dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
“Pikërisht për shkak të ndjeshmërisë së këtyre çështjeve, dialogu ka pasur gjithmonë rëndësi. Institucionet i shërbejnë më së miri qytetarëve kur flasin qartë, dëgjojnë me kujdes dhe e mbajnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve në qendër të veprimit”, theksoi kryetarja Haxhiu.
Ajo tha më tej se gjatë kohës sa drejtoi EULEX-in, Giovanni Pietro Barbano ka mbajtur një përgjegjësi të rëndësishme në një periudhë të ndjeshme.
“Kosova e vlerëson profesionalizmin, seriozitetin institucional dhe qasjen e respektueshme. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për përgjegjësinë që keni mbajtur në këtë detyrë, si dhe për shërbimin dhe bashkëpunimin tuaj”, theksoi kryetarja Haxhiu.
Sipas saj, misionet ndërkombëtare janë të përkohshme nga vetë natyra e tyre, ndërsa institucionet nuk janë.
“Prandaj, matësi i vërtetë i bashkëpunimit nuk është sa gjatë qëndron një mision, por sa më të forta, më të përgjegjshme dhe më të pavarura bëhen institucionet shtetërore. Në Kosovë, institucionet janë forcuar në kapacitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi, dhe vazhdojnë t’i kryejnë detyrat kushtetuese e demokratike që i takojnë Republikës”, tha Haxhiu.
Në përmbyllje, kryetarja e Kuvendit i uroi z. Giovanni Pietro Barbano suksese në angazhimet e tij të ardhshme.
“Shpresoj që nga Kosova të merrni me vete kujtimin e një vendi të ri në shtetësi, të qartë në vullnetin e tij demokratik dhe thellësisht të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe të ardhmes evropiane”, tha në fjalën e saj kryetarja Haxhiu.
