Lionel Messi kremtoi 39-vjetorin më 24 qershor, në një atmosferë plot emocion në grumbullimin e Argjentinës, ku kapiteni i “Albiceleste” u befasua me disa urime të veçanta.
Pas përfundimit të stërvitjes, futbollistët e skuadrës përgatitën një festë speciale për yllin argjentinas. Secili prej tyre mbante veshur një fanellë ku ishte vendosur një foto personale me Messin, si edhe mesazhi: “Gëzuar ditëlindjen, Leo”.
Të lidhura
None found
Një prej çasteve më domethënëse u shënua nga Rodrigo De Paul, i cili përzgjodhi një imazh ku të dy shfaqeshin të përqafuar gjatë kremtimit të suksesit në Kupën e Botës 2022 në Katar.
Ndërkohë, festimet nuk mbetën vetëm brenda ekipit. Në qendrën stërvitore të Argjentinës në Kansas City, dhjetëra tifozë u grumbulluan me dhurata për Messin, duke shpresuar ta takonin nga afër dhe t’i uronin ditëlindjen legjendës së futbollit.
Në mjediset e kombëtares mbërritën edhe disa torta gjigante, të dërguara nga organizata dhe sponsorë të ndryshëm, mes tyre FIFA, Argentine Football Association dhe CONMEBOL.
Messi po përjeton një periudhë shumë të mirë në Kupën e Botës 2026, ku deri tani është shfaqur si një nga figurat kryesore të Argjentinës, duke vijuar të shkruajë historinë edhe pranë dekadës së katërt të jetës së tij.
