Vendimi i 16 shtatorit nuk e mbylli procesin gjyqësor ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Palët po përgatiten për fazën e apelimit dhe deri më 27 nëntor duhet të njoftojnë nëse do të kundërshtojnë aktgjykimin e shkallës së parë. Dhomat e Specializuara kanë shpjeguar çfarë mund të shqyrtohet në apel dhe si pritet të vijojë procedura.
Të lidhura
None found
Më shumë se tri javë pas shpalljes së vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, afati për njoftimin e apelimit po afrohet.
Afati fillestar për të treguar nëse do të kundërshtohej aktgjykimi ishte mesi i tetorit. Pas kërkesës së Mbrojtjes, Paneli i Apelit e shtyu atë deri më 27 nëntor.
Mbrojtja e kërkoi shtyrjen duke iu referuar kompleksitetit të çështjes dhe faktit se ekipet e saj ende nuk e kishin marrë aktgjykimin të përkthyer në shqip.
Dhomat e Specializuara i thanë RTK-së se, deri tani, nuk është publikuar asnjë parashtresë që dëshmon se ndonjëra palë ka dorëzuar njoftimin për apel ose ka treguar cilat pjesë të vendimit synon të kundërshtojë.
Procedura e apelit, sipas gjykatës, fillon kur dorëzohet njoftimi për apelim.
Paneli i Apelit mund të shqyrtojë pretendime për gabime ligjore, faktike apo për caktimin e dënimit. Gjatë procesit, palët mund të kërkojnë që të paraqiten prova të tjera, duke përcaktuar gjetjen faktike të Trupit Gjykues me të cilën lidhen. Gjykata e Apelit mund ta lërë në fuqi, ta rrëzojë ose ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë. Nëse rrethanat e justifikojnë, ajo mund të urdhërojë edhe rigjykim nga Trupi Gjykues.
Gjykata ka vënë në dukje se procesi deri në vendim mund të zgjasë më pak nëse kundërshtimi lidhet vetëm me dënimin.
Njohës të procesit dhe juristë kanë komentuar sfidat që mund të përballojnë katër ish-krerët e UÇK-së në fazën e apelit.
“Kohëzgjatja varet nga mënyra si do ta trajtojë çështjen Gjykata e Apelit. Nëse vendoset të rihapet procesi gjyqësor, procedura mund të zgjasë edhe më shumë. Duke u bazuar në vendimet e mëparshme, dyshojmë se vendimi në Apel mund të merret para 12 ose 18 muajve të ardhshëm”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.
Avokati Arbër Jashari tha se palët do të përballen edhe me një sfidë tjetër: zbatimin e ndryshimeve të fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“E konsideroj këtë ligj shumë të favorshëm, por zbatimi i tij do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe sfidues. Dhomat e Specializuara janë krijuar në partneritet me BE-në, ndaj çështja prek edhe palë të tjera. Kosova duhet të gjejë mënyrën për të arritur dakordim dhe për t’i bindur partnerët ndërkombëtarë për ndryshimin”, theksoi ai.
Në aktgjykimin e 16 shtatorit, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.







