Mungesa e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë Kosovën drejt një tjetër bllokade institucionale. Njohësit e politikës u bëjnë thirrje partive që të vendosin sa më parë nëse do të arrijnë kompromis për kreun e shtetit apo do t’u drejtohen zgjedhjeve të reja.
Të lidhura
None found
Sipas tyre, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 tetor, Kosova do të mbetet pa president. Çdo shtyrje e mëtejshme e krijimit të institucioneve funksionale mund të prodhojë pasoja të reja në planin politik dhe institucional.
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, ka deklaruar se procesi duhet të përmbyllet para datës 4-5 tetor.
“Kjo zgjedhje e këtij presidentit duhet të bëhet para datës 4-5 tetor. Në rast se nuk ndodh kjo, kjo është situatë e paprecedent, e rrezikshme sepse cenon sigurinë kombëtare të Kosovës. Për herë të parë ndodhë që një shtet në Bashkimin Evropian të funksionojë pa asnjë titullar….”, ka thënë Bugaqku.
Ai dhe ekspertë të tjerë vlerësojnë se partitë nuk duhet të lejojnë zgjatjen e mëtejshme të periudhës pa institucione të plota.
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se, nëse debati për presidentin nuk sjell rezultat, vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe ushtruesja e detyrës së presidentes të caktojë sa më shpejt datën e tyre.
“Kur ky debat të shterrohet Kosova le të shkoj në zgjedhje dhe u.d e presidentes të caktoj një datë sa më shpejt për mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrë që deri para datës 5 tetor ta kemi një Kuvend të ri, qeveri të re dhe një president që është legjitim dhe legal që votohet nga Kuvendi i Kosovës. Në këso rrethana pas datës 5 tetor ne shkojmë në anarki kushtetuese, nuk do të ketë as kush ti thërras partitë për konsensus”, ka deklaruar Jakaj.
Vonesat në krijimin e institucioneve tashmë i kanë kushtuar Kosovës dhjetëra miliona euro nga Plani i Rritjes, ndërsa vazhdimi i krizës politike pritet të rëndojë edhe më tej situatën.
“Ndërkohë pasojat do të jenë të rënda, siç e përmenda. Financat nga plani i rritjes, financat nga plani i brendshëm, çështjet që lidhen me diplomacinë, shërbimin e jashtëm, me lobimin e Kosovës për aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera, veçanërisht në Bashkimin Evropian”, ka shtuar Jakaj.
Lëvizjes Vetëvendosje i mungojnë edhe 6 vota për zgjedhjen e presidentit të ri. Ndërkohë, Partia Demokratike, Aleanca dhe 6 deputetë të LDK-së kanë bërë të ditur se nuk do të kontribuojnë në këtë proces.
