Gazetarja e emisionit “Review”, Matilda Braho, raportoi nga Ndërfushazi i Mirditës, aty ku 65-vjeçari Viktor Bardhi u ekzekutua në një atentat të organizuar. Banorët i thanë asaj se viktima ishte i përkushtuar ndaj familjes, ndërsa përshkruan edhe rrethanat pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Bardhi po shkonte në punë në ujësjellës dhe, pasi kishte përshkuar rreth një kilometër nga banesa, u sulmua në një prej pikave ku shkonte çdo ditë për të furnizuar fshatin me ujë të pijshëm.
Të lidhura
None found
Automjeti “Mercedes-Benz” me të cilin udhëtonte 65-vjeçari u qëllua me breshëri plumbash. Bardhi humbi jetën në vend, ndërsa trupin e tij e gjetën banorët e zonës, të cilët lajmëruan menjëherë policinë.
Dëshmitë e banorëve
Një prej fqinjeve tregon se e kishte parë Viktorin duke kaluar me makinë rreth orës 08:00. Sipas saj, vetëm tre minuta më vonë, në të njëjtin drejtim kaloi edhe një automjet blu.
“Viktori kaloi me makinë në orën tetë. Pas saktësisht tre minutash kaloi edhe makina blu, e cila e ndiqte. I pashë në kamerat e sigurisë së shtëpisë. Fillimisht dëgjuam një krismë dhe më pas breshërinë”, rrëfen banorja.
Ajo thotë se ishte djali i saj ai që njoftoi policinë, pasi e gjeti 65-vjeçarin të pajetë. Fqinje e viktimës e përshkruan Bardhin si një person familjar dhe punëtor.
“Ishte njeri i familjes dhe punonte për të siguruar familjen e tij. Jemi tmerruar. Brenda një kohe të shkurtër kanë ndodhur tre vrasje”, shprehet ajo.
Një tjetër banor tregon se Bardhi shkonte përditë në atë zonë për të hapur furnizimin me ujë të pijshëm.
“Ai vinte çdo ditë për të lëshuar ujin. Sot u përshëndetëm, por nëse do ta dija se ishte hera e fundit, nuk do ta lija të shkonte”, thotë banori.
Ai shpreh shqetësimin për sigurinë në atë pjesë të zonës, duke e cilësuar nënkalimin si një vend të rrezikshëm dhe të përshtatshëm për organizimin e pritave.
“Ky nënkalim paraqet rrezik të madh. Edhe para vrasjes së Viktorit kemi thënë se mund të përdorej si vend prite. Autorët e dinin se ku do të shkonte, e kanë ndjekur dhe më pas i kanë zënë pritë, duke e lënë të vdekur në vend”, deklaron ai.
