Nga Samiti Dixhital në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz kërkoi që Gjermania dhe Europa të përshpejtojnë zhvillimin e inteligjencës artificiale. Përmes këtij hapi, ai synon forcimin e aftësisë konkurruese dhe uljen e varësisë teknologjike prej SHBA-së dhe Kinës.
Në fjalën e tij, Merz vuri në dukje se zhvillimi i teknologjive digjitale dhe përdorimi i tyre në praktikë kërkojnë më shumë shpejtësi dhe efikasitet si nga Gjermania, ashtu edhe nga Europa.
Të lidhura
None found
Strategjia që paraqiti kancelari mbështetet në dy shtylla: përhapjen e përdorimit të inteligjencës artificiale në industri dhe biznese në afatin e shkurtër dhe fuqizimin e kërkimit për modele të reja të AI-së në perspektivën afatgjatë.
Për të arritur më shumë pavarësi në fushën teknologjike, ndër objektivat kryesore janë zgjerimi i bashkëpunimit me shtete si Franca dhe Kanadaja dhe diversifikimi i zinxhirëve të furnizimit.
Ambicia e qeverisë gjermane është ta kthejë Gjermaninë në një “Komb të Inteligjencës Artificiale” deri në vitin 2030. Plani parashikon që, brenda këtij afati, AI-ja të përdoret nga të paktën 80 për qind e ndërmarrjeve të mëdha dhe 55 për qind e bizneseve të vogla dhe të mesme.
Objektivat përfshijnë edhe trefishimin e numrit të start-up-eve që veprojnë në këtë fushë, ndërsa kontributi i inteligjencës artificiale në ekonominë gjermane synohet të kalojë mbi 10 për qind.
Merz u shpreh se inteligjenca artificiale do ta transformojë ndjeshëm tregun e punës dhe do të shtojë produktivitetin. Sipas tij, frika nga rreziqet nuk duhet të shërbejë si pengesë për zhvillimin e saj, i cili duhet të orientohet nga vlerat njerëzore dhe interesat e sigurisë.
Ndërkohë, ekspertët ngrenë shqetësimin se, në konkurrencën botërore për inteligjencën artificiale, Gjermania mund të mbetet prapa SHBA-së dhe Kinës.
Raporti i grupit të punës për AI e cilëson periudhën e ardhshme prej 12 deri në 18 muajsh si përcaktuese për mundësinë e vendit që të zvogëlojë hendekun teknologjik dhe të konsolidojë pozicionin e tij ndërkombëtar.





