Arkin Jahiji, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), koalicion i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës. Ai la pas kandidatin e koalicionit “Maqedonia Jote”, Stojanço Radiçevski, i cili kishte mbështetjen e VMRO-DPMNE-së.
Të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve tregojnë se Jahiji mori 4,442 vota, ose 50.36 për qind, kundrejt 4,177 votave dhe 47.36 për qind që siguroi Radiçevski. Diferenca mes dy kandidatëve ishte 265 vota.
Të lidhura
None found
Në votimin e raundit të dytë morën pjesë 8,820 qytetarë, çka përbën pjesëmarrje prej 54.29 për qind. Në kuti u gjetën edhe 201 fletëvotime të pavlefshme.
Pas rezultatit pati reagime të shumta politike. Në veçanti, VMRO-DPMNE-ja kritikoi VLEN-in për mbështetjen e kandidatit të BDI-së.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, reagoi pas humbjes së kandidatit të tij dhe iu referua kundërshtarëve politikë me shprehjen “kalë troje”.
“Ne ishim vetëm përballë të gjithëve, me program dhe koncept zgjedhor; ata, me mbështetjen e demografisë, me kartën nacionaliste dhe me ndonjë kalë troje që ndihmoi në tërheqjen e votave.
Sidoqoftë, rritja e votave tona nga raundi i parë është e qartë dhe e pastër: nga 3,000 në 4,200. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare kemi 1,300 vota më shumë, por, për fat të keq, kjo nuk mjaftoi për të fituar”, shkroi Mickoski.
VLEN-i i hodhi poshtë pretendimet se votat e mbështetësve të tij i përkasin ndonjë partie, duke nënvizuar se qytetarët e zgjedhin vetë kandidatin që duan të mbështesin.
Bashkëkryetari i koalicionit, Izet Mexhiti, reagoi ndaj retorikës pas zgjedhjeve dhe bëri thirrje që rezultati të pranohet.
“Zgjedhjet kanë përfunduar dhe sot Bërvenica e ka kryetarin e saj të komunës. Jeta vazhdon, ndërsa të gjithë ne u kthehemi detyrave tona.
I kam konsideruar si të tilla deklaratat nxitëse dhe folklorin para zgjedhjeve, por duhet të marrë fund edhe kjo gjuhë paszgjedhore. Votat janë të qytetarëve, të cilët kanë lirinë të vendosin kujt t’ia japin mbështetjen”, shkroi Mexhiti.
Bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, Bilall Kasami, përgëzoi Arkin Jahijin për fitoren dhe i kërkoi të angazhohet për të gjithë banorët, pa dallim.
“I uroj Arkin Jahijit, kryetarit të ri të Komunës së Bërvenicës, një mandat të mbarë dhe të suksesshëm. Ai duhet t’i përmbahet premtimeve të dhëna para zgjedhjeve dhe të punojë për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë partiake, fetare apo etnike.
Qytetari ka gjithmonë të drejtë, çfarëdo motivesh të ketë kur gjykon, dhe kjo duhet respektuar”, shkroi Kasami.
Njohës të zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriut vlerësojnë se, ashtu si shqiptarët nuk mund të marrin vendime politike të vetëm në një komunë, edhe maqedonasit nuk mund të veprojnë të pavarur në nivel shtetëror. Ata kanë kritikuar si gjuhën e kryeministrit Mickoski, ashtu edhe atë që e cilësojnë si heshtje të VLEN-it.

Mickoski duhet të nxjerrë mësim
Opinionisti Ramadan Ramadani e sheh humbjen e kandidatit të VMRO-DPMNE-së në Bërvenicë në kontekstin e marrëdhënieve politike dhe ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Duke folur për “Bota sot”, Ramadani kritikoi qëndrimin e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe tha se rezultati duhet të shërbejë si mësim për mënyrën e funksionimit të politikës në një shtet me përbërje shumëetnike.
“Po të kishte kryeministri Mickoski pak aftësi strategjike dhe ndjeshmëri politike, do ta kuptonte mësimin më të përshtatshëm nga humbja në Bërvenicë: njësoj si shqiptarët, të cilët politikisht nuk janë të pavarur dhe nuk mund të vendosin të vetëm në një komunë ku janë vetëm një shumicë e ngushtë, afërsisht 54 për qind, as ai vetë dhe as maqedonasit nuk mund të sillen të vetëm në RMV, ku janë po ashtu një shumicë e ngushtë, rreth 54 për qind”, tha Ramadani.
“Vota shqiptare ua ndryshon përllogaritjet partive maqedonase”

Profesori Sulejman Mehazi e konsideron fitoren e Jahijit më shumë se një rezultat komunal. Sipas tij, ajo nxjerr në pah ndikimin e votës shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe rolin e saj në përcaktimin e zhvillimeve politike.
Mehazi thotë se gara në Bërvenicë dëshmoi se vota e shqiptarëve mund të jetë përcaktuese dhe t’i prishë planet politike të partive maqedonase.
Ai kundërshtoi deklaratat e Mickoskit pas humbjes, sidomos cilësimin e mobilizimit të votuesve si “kartë nacionaliste” dhe përshkrimin e VLEN-it si “kalë troje”.
“Për elitën në Shkup, vota e lirë e shqiptarëve vazhdon të shihet si një ‘kartë nacionaliste’ që duhet mbajtur nën kontroll, në vend që të pranohet si shprehje e lirë demokratike”, deklaroi Mehazi.
Sipas analistit, reagimi i Mickoskit pasqyron një qasje politike që nuk e pranon votën shqiptare kur ajo nuk u shërben interesave të partive maqedonase.
“Në vend se ta përshëndesë procesin demokratik, Mickoski zgjedh t’i vërë etiketa. Kjo dëshmon se fryma e Marrëveshjes së Ohrit për të mbetet vetëm një detyrim në letër, ndërsa në praktikë kërkohet rikthimi i dominimit etnik, ku shqiptarët shihen thjesht si numra ose si një përqindje e bezdisshme”, u shpreh Mehazi.
Profesori i drejtoi kritikat edhe ndaj VLEN-it, duke e akuzuar koalicionin se nuk reagoi me forcë ndaj deklaratave të kreut të Qeverisë.
“Problemi i vërtetë në këtë teatër nuk është mënyra si flet Mickoski, sepse prej tij nuk pritej bujari kombëtare, por sjellja e VLEN-it. Duke heshtur përballë fyerjeve dhe deklaratave që vijnë nga kreu i qeverisë, ata dëshmojnë se nuk janë partnerë të barabartë në pushtetin ekzekutiv, por vetëm mbushës që i shërbejnë rehatisë së qeverisë”, theksoi ai.
Mehazi paralajmëroi se VLEN-i mund të humbasë besimin e qytetarëve që e votuan, nëse nuk mbron me vendosmëri përfaqësimin dhe interesat e shqiptarëve.
Në përfundim, ai tha se rezultati i Bërvenicës duhet të lexohet si thirrje për respektimin e vullnetit qytetar dhe të barazisë mes komuniteteve në vend.
“Barazia e vërtetë nuk mund të trajtohet si lëmoshë për Mickoskin dhe VMRO-në e tij; ajo arrihet duke mbrojtur me dinjitet çdo votë dhe çdo të drejtë të fituar me sakrificë”, përfundoi Mehazi në prononcimin për “Bota sot”.







