Nga New Jersey, në një lidhje të drejtpërdrejtë për televizionin “News24”, nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, prezantoi programin politik të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Berisha ndodhet në SHBA së bashku me një delegacion të gjerë të përfaqësuesve të opozitës. Sipas Këlliçit, interesi i madh i shqiptarëve në Amerikë ka bërë që takimi me diasporën të zhvendoset në një ambient më të madh, në mënyrë që të përballojë numrin e lartë të pjesëmarrësve.
Të lidhura
None found
Takimi do të mbahet në Venetian Palace, në New Jersey, dhe Këlliçi e përshkroi atë si aktivitetin më të madh të zhvilluar ndonjëherë në SHBA nga një politikan shqiptar.
Gjatë qëndrimit në Teksas, kreu i PD-së pritet të zhvillojë për dy ditë radhazi takime të nivelit të lartë me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Kongresit Amerikan.
Pjesë e rëndësishme e programit është edhe pjesëmarrja në Konventën e Partisë Republikane, e cila do të zhvillohet më 9 dhe 10 shtator në Dallas. Aktiviteti do të ketë si folës kryesorë Presidentin Donald Trump dhe Zëvendëspresidentin JD Vance.
Këlliçi e cilësoi rikthimin e Berishës në Shtetet e Bashkuara, pas 14 vitesh dhe pas kapërcimit të pengesave ligjore, si një zhvillim me rëndësi për Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare në tërësi.
Ai tha se mbërritja e Berishës u prit me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme në aeroport. Sipas Këlliçit, shpallja e liderit të opozitës si person non grata përmes një vendimmarrjeje korruptive, pa dokumente, fakte apo prova, është një precedent që nuk duhet t’i ndodhë asnjë force politike.
Axhenda e ditëve të para parashikon gjithashtu bisedime me dy kongresmenë nga shtetet e New York-ut dhe New Jersey-t, si dhe një darkë zyrtare mirënjohjeje me komunitetin shqiptaro-amerikan që ka mbështetur kauzën e opozitës gjatë këtyre 13 viteve.
