Ngritja e një fronti sa më të gjerë opozitar kundër qeverisë së Edi Ramës ishte kërkesa që kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u drejtoi kryetarëve dhe sekretarëve të degëve gjatë një takimi me ta. Ai u kërkoi përfaqësuesve demokratë të punojnë për bashkimin e forcave opozitare në rrethet, qytetet dhe qarqet e tyre.
Sipas Berishës, opozita përbën sot shumicën si në Tiranë, ashtu edhe në të gjithë Shqipërinë. Duke e cilësuar PD-në forcën kryesore politike të vendit, ai tha se asaj i takon të ndërmarrë nismën për bashkëpunim me të gjithë spektrin opozitar, kudo ku ai ndodhet.
Të lidhura
None found
Mesazhi kryesor që përcolli në mbledhje ishte angazhimi për një front sa më të gjerë kundër asaj që e quajti narkoshtet. Berisha kërkoi përpjekje për t’u bashkuar me këdo që e konsideron Edi Ramën të keqen më të madhe të vendit, duke nënvizuar se demokratët duhet të jenë të parët që ofrojnë bashkëpunim.
Duke folur për flamingot, kreu demokrat argumentoi se ishte dëshmuar nevoja për një opozitë të bashkuar e të fuqishme përballë asaj që ai e cilësoi diktaturë dhe narkodiktaturë. Sipas tij, intelektualët e shumtë që merrnin pjesë çdo ditë për shkak të idealeve dhe parimeve të tyre e kishin të qartë se nevojitej një thirrje për bashkimin e të gjitha forcave politike.
Berisha u shpreh se flamingot ua kishin mbyllur gojën atyre dhe nuk i lejonin të shpreheshin. Megjithatë, ai tha se jehona e jashtëzakonshme që patën flamingot nuk mund të mohohej dhe se, sipas tij, ato i treguan botës një Edi Rama diktator, hajdut dhe mashtrues.
Një pjesë të fjalës së tij ai ia kushtoi edhe lëvizjes studentore. Berisha i njohu PD-së dhe demokratëve meritën se iu bashkuan asaj që në orën e parë, duke ndjekur parimin e mbështetjes së plotë dhe të mbrojtjes së studentëve.
Pjesëmarrësit në këtë lëvizje ai i përshkroi si njerëz me guxim e trimëri të paparë deri atëherë në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Sipas tij, lëvizja fitoi jashtëzakonisht shpejt simpati të madhe.
Ai solli në vëmendje qëndresën e vajzave që mbaheshin të kapura me njëra-tjetrën për t’u mbrojtur ndërsa goditeshin me topa uji, veprime që i cilësoi barbare. Gjithashtu, përmendi pamjet e protestuesve që, sipas tij, qëlloheshin në ballë pa asnjë shkak.
Për Berishën, qëndresa përballë këtyre barbarive e shndërroi lëvizjen e studentëve shqiptarë në më të dashurën për njerëzit e lirë anembanë botës. Në përfundim, ai tha se ishte në nderin e demokratëve që, brenda mundësive të tyre, u kishin dhënë studentëve mbështetje të fuqishme dhe u kishin shërbyer si parzmore në çdo etapë.







