Policia e Vlorës ka vënë në pranga pesë individë dhe ka shpallur në kërkim gjashtë të tjerë, pas një konflikti të armatosur që ndodhi mesditën e së enjtes në një hotel në zonën e Radhimës.
Detajet e operacionit u bënë të ditura nga Drejtori i Policisë së Vlorës në një konferencë për shtyp. Sipas hetimeve, ngjarja filloi rreth orës 12:00, kur një makinë “Range Rover” me ngjyrë të zezë refuzoi të ndalonte në postbllokun e vendosur në Rrethin e Alikokës dhe vazhdoi rrugën drejt Peshkëpisë.
Të lidhura
None found
Gjatë ndjekjes nga forcat e rendit, automjeti humbi kontrollin dhe doli nga rruga në afërsi të Urës së Peshkëpisë, duke goditur mbrojtëset anësore. Në brendësi të tij udhëtonin drejtuesi Luan Muça si dhe vëllezërit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, të cilët janë punonjës të një kompanie private sigurie.
Si rezultat i përplasjes, Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj pësuan lëndime dhe u dërguan për mjekim në Spitalin Rajonal të Vlorës. Burimet zyrtare konfirmojnë se ata janë jashtë rrezikut për jetën. Gjatë këqyrjes së mjetit, uniformat blu zbuluan dhe sekuestruan një pistoletë bashkë me një karikator të mbushur me 16 fishekë.
Kryepolici i Vlorës shtoi se rreth orës 13:00, një automjet tjetër i kërkuar u kap nga efektivët e Policisë së Fierit pranë Mbikalimit të Memorialit. Makina drejtohej nga shtetasi i Kosovës, Blerim Heta. Inspektimi i mjetit zbuloi dëmtime në xhamin e pasagjerit, që dyshohet se vijnë nga të shtënat me armë, si dhe tre fishekë pistolete në brendësi të tij.
Më pas, rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, afër fshatit Kaninë, u gjet një makinë tip “Audi A8” e përfshirë nga flakët, e cila besohet se është përdorur nga personat e implikuar në këtë rast.
Nga hetimet e kryera deri më tani, policia dyshon se Luan Muça dhe bashkëpunëtorët e tij janë paraqitur në hotelin e Vasil Bedinajt. Ata i kanë imponuar pronarit një pagesë prej 5 milionë eurosh, duke e frikësuar me armë dhe duke ushtruar dhunë mbi të. Sipas të njëjtit version, atij iu dha një afat prej 48 orësh për t’u larguar nga territori shqiptar.
Po ashtu, autoritetet njoftuan se Angjelo Breshani iu afrua automjetit të Vasil Bedinajt, mori armën e zjarrit që ky i fundit e mbante me leje dhe qëlloi në drejtim të makinave të personave të tjerë që gjendeshin në vendngjarje.
Në fund të aksionit, policia arrestoi këta shtetas: Luan Muça, 55 vjeç, nga Tirana; Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, nga Tirana; Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, nga Tirana; Blerim Heta, 40 vjeç, nga Kosova; dhe Angjelo Breshani, 29 vjeç, nga Vlora. Gjashtë persona të tjerë janë ende në kërkim, së bashku me katër automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kësaj ngjarjeje.
Hetimet po vazhdojnë në bashkërendim me Prokurorinë, për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e secilit prej të dyshuarve. Dosja do t’i kalojë organit të akuzës për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie” e kryer në grup, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
