Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka hapur thirrje të reja publike për mbështetjen e industrisë përpunuese, me një fond të përgjithshëm prej 7 milionë denarësh, bëri të ditur ministri Besar Durmishi.
Të lidhura
None found
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për të dyja thirrjet është 15 shtatori 2026.
Sipas Durmishit, pjesa më e madhe e fondit, në vlerën 5 milionë denarë, do të përdoret për nxitjen e bashkëpunimit mes kompanive dhe universiteteve. Financimi parashikon projekte në fushën e kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit, transferimit të njohurive dhe teknologjive, transformimit të gjelbër dhe digjital, si dhe ekonomisë qarkulluese.
Një fond prej 2 milionë denarësh është ndarë për kompanitë që synojnë zbatimin dhe certifikimin e standardeve, dokumenteve të standardizimit dhe raporteve, ku përfshihen edhe praktikat ESG dhe ESRS.
Mbështetja për të dyja programet mund të mbulojë deri në 70 për qind të shpenzimeve të dëshmuara. Në kuadër të thirrjes së parë, aplikuesit mund të përfitojnë deri në 500 mijë denarë, ndërsa në thirrjen e dytë shuma maksimale është 200 mijë denarë.
Gjatë brifingut me gazetarët, ministri u ndal edhe te çështje të tjera të ekonomisë, si masat për ruajtjen e standardit jetësor dhe ofrimin e çmimeve më të favorshme, „Shporta e shkollës“, Agjenda e Reformave të BE-së, paga minimale dhe situata në tregun e punës.
Ministri Durmishi deklaroi se komunikimi i hapur me mediat dhe publikun do të vijojë, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të marrin në kohë informacion për politikat, masat dhe mundësitë konkrete të ofruara nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.
