Të dhënat e Eurostat tregojnë se Maqedonia e Veriut ka humbur 11.4 përqind të popullsisë së saj në krahasim me vitin 2011. Kjo është rënia e tretë më e madhe në Evropë, pas Shqipërisë dhe Bullgarisë, ndërsa më pas renditen Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia.
Në fund të vitit 2024, Shqipëria kishte 18 përqind më pak banorë se në vitin 2011. Gjatë periudhës kur u zhvilluan regjistrimet e popullsisë, numri i banorëve në vend ra me më shumë se 500 mijë, raportoi “euronews.al”.
Të lidhura
None found
Sipas Eurostat, agjencisë statistikore evropiane, Shqipëria kryeson listën për rënien e popullsisë. Pas saj vjen Bullgaria, e cila gjatë dekadës së fundit humbi 12.3 përqind të banorëve, ndërsa Maqedonia e Veriut shënoi një tkurrje prej 11.4 përqind.
Vala e emigrimit ka prekur thuajse të gjitha vendet e rajonit. Mali i Zi është ndër të paktat vende që e ka mbajtur popullsinë pothuajse të pandryshuar, duke regjistruar një rritje prej 0.6 përqind.
Në të kundërt, vendet e Evropës Perëndimore kanë zgjeruar numrin e banorëve përmes politikave agresive të imigracionit, të përdorura për të zbutur pasojat demografike të plakjes së popullsisë dhe rënies së lindjeve. Që nga viti 2011, popullsia e eurozonës është rritur me 3.2 përqind.






