Prokuroria kërkon paraburgimin e ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

Prokuroria Themelore në Pejë, përmes Departamentit të Përgjithshëm, ka kërkuar caktimin e paraburgimit për të pandehurin J.S., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Mospërfillja e gjykatës”, të përcaktuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Rasti dyshohet se ka ndodhur më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë të Komunës së Pejës. Sipas Prokurorisë, J.S. nuk ka respektuar pikën I të dispozitivit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të nxjerrë më 16 tetor 2026.

Të lidhura

None found

Vendimi gjyqësor e urdhëronte të pandehurin të mos ushtronte dhunë fizike ose psikike, të mos pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë.

Megjithatë, sipas komunikatës së Prokurorisë, ai dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tashmë të ndjerës A.Z., duke i drejtuar asaj fjalë kërcënuese. Po ashtu, dyshohet se i ka marrë rrobat që viktima i kishte vendosur në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë.

Prokuroria vlerëson se, përmes këtyre veprimeve, i pandehuri ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, sipas nenit 393, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shqyrtimi i kërkesës për caktimin e paraburgimit pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Pejë.


Shtuar më 27.10.2026 10:27