Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, foli sonte në emisionin “Debat në SHENJA” për rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë.
Mexhiti bëri të ditur se koalicioni do ta analizojë rezultatin. Ai vuri në dukje se kandidimi, për herë të parë, i një kandidati nga Tenova sfidoi traditën lokale, sipas së cilës kandidati duhej të vinte nga Çellopeku, fshati më i madh i komunës.
Të lidhura
None found
“Së pari, kjo është garë lokale. Rezultati është ai që është dhe VLEN-i do ta analizojë. Mendoj se në Bërvenicë thyem një tabu: që kandidati duhet patjetër të jetë nga Çellopeku, fshati më i madh. Për herë të parë kandiduam dikë nga Tenova. Gjatë ditëve të zgjedhjeve u pa se votuesit zgjodhën mbi baza lokaliste. Ndoshta duhet kohë që këto dallime të kapërcehen dhe të zgjidhet kandidati më i mirë. Ne kemi paguar një çmim për këtë”, u shpreh Mexhiti.
Ai konfirmoi se VLEN-i përkrah kandidatin e AKI-së, Arkin Jahijin, në garën zgjedhore në Bërvenicë.
Sipas Mexhitit, për të fituar përkrahjen e plotë të votuesve shqiptarë, Jahiji duhet të ndjekë modelin e Haqim Ramadanit, i cili kishte kandiduar si i pavarur. Kjo, tha ai, mund të ndihmojë në sigurimin e mbështetjes më të gjerë shqiptare.
“Kandidati ynë shkoi dhe i ofroi mbështetje, ndërsa edhe ne e përkrahim. Pra, VLEN-i mbështet Arkin Jahijin në Bërvenicë”, deklaroi Mexhiti. (INA)






