Përmbytjet e fuqishme që goditën disa fshatra të Nepalit u kanë marrë jetën të paktën tetë personave. Për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit, autoritetet kanë angazhuar edhe helikopterë.
Rrugë, ura dhe objekte të infrastrukturës energjetike kanë pësuar dëme të konsiderueshme, sidomos në zonat afër kufirit me Tibetin. Gjendja vazhdon të jetë alarmante, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rëndohet.
Të lidhura
None found
Në Siapru Besi dhe Timure, pjesë e sektorit malor të Rasuwa-s, ujërat kanë arritur një nivel që ua ka bërë të pamundur helikopterëve të ulen. Banorëve përgjatë lumit Bhote Kosi u është kërkuar të largohen dhe të zhvendosen drejt terreneve më të larta.
Narendra Pariyar, komandanti i sektorit, deklaroi se mund të ketë viktima të tjera dhe dëme të mëdha materiale. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit po punojnë për të krijuar një pasqyrë të situatës në terren.
Një dëshmitar nga zona tregoi se ngjarja ndodhi në mënyrë të befasishme. Ai tha se banorët fillimisht dëgjuan një shpërthim të fuqishëm, përpara se njerëzit të nisnin të bërtisnin dhe të largoheshin me vrap.
Në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit janë përfshirë policia dhe ushtria nepaleze. Autoritetet kanë udhëruar gjithashtu popullsinë në zonat e ulëta të zhvendoset në vende më të sigurta.
Sipas Ministrisë së Energjisë të Nepalit, përmbytjet kanë prekur rreth 430 megavat energji elektrike, kryesisht si pasojë e dëmeve të shkaktuara në hidrocentrale.
Edhe në anën tjetër të kufirit, në Tibet, janë raportuar viktima dhe persona të zhdukur pas një rrëshqitjeje dheu në një pikë kalimi ndërmjet Kinës dhe Nepalit.
Agjencia shtetërore kineze Xinhua njoftoi se rrëshqitja e dheut goditi zonën e Girongut. Si pasojë, në distriktin Shigatse janë dëmtuar rrugët, rrjetet e komunikimit dhe furnizimi me energji elektrike.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka kërkuar angazhim maksimal për lokalizimin dhe shpëtimin e të zhdukurve. Ai ka bërë thirrje edhe për fuqizimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, me synimin për të parandaluar fatkeqësi të tjera.
Ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë i përmbytjeve. Megjithatë, edhe vitin e kaluar lumi Bhote Kosi u godit nga një vërshim i fuqishëm, i cili la nëntë të vdekur dhe 24 persona të zhdukur. Një agjenci rajonale për monitorimin e klimës vlerësoi se ajo fatkeqësi u shkaktua nga shpërthimi i një liqeni të madh akullnajor në Tibet.
