Në emisionin “Prime News24” të News24, gazetarja Klodiana Lala foli për hetimet ndaj Belinda Ballukut, kohëzgjatjen e tyre dhe dyshimet që lidhen me tendera me vlerë mbi 1 miliard euro.
Lala sqaroi se afati i hetimit për çështjen përfundon në janar të vitit 2027. Prokurorët kishin kohë deri më 26 tetor, por, meqë hetimet nuk u mbyllën brenda kësaj date, përfituan tre muaj shtesë. Ajo vuri në dukje se kjo zgjatje nuk i detyron të shfrytëzojnë të gjithë afatin.
Të lidhura
None found
Sipas gazetares, prokurorët kanë njoftuar zyrtarisht se hetimet kanë përfunduar. Pas mbarimit të afatit 10-ditor, dosja do të përgatitet dhe do t’i përcillet gjyqtarit të seancës paraprake, i cili do të vendosë nëse çështja mund të kalojë për gjykim në themel.
Lala tha se dosja përfshin tendera me vlerë të përgjithshme që, sipas saj, i kalon 1 miliard euro. Në mesin e projekteve të përmendura janë tuneli i Llogarasë dhe procedura të lidhura me Unazën e Madhe të Tiranës.
Ajo përmendi edhe biznesmenë që, sipas dyshimeve të hetimit, kanë përfituar nga këto procedura. Mes tyre veçoi Arbër Abazin, duke folur për lidhjet e tij me rrethin e afërt të Ballukut. Lala ngriti gjithashtu dyshime për një vilë në Palasë, që mund të jetë përfituar si ryshfet, si dhe për investime ku, sipas saj, është përfshirë ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare.
“Afati i hetimeve për zonjën Balluku është deri në janar të vitit 2027. Prokurorët duhej t’i përfundonin deri më 26 tetor. Në çështje janë 26 të pandehur: Balluku dhe 25 persona të tjerë. Pesëmbëdhjetë prej tyre janë njohur sot me përfundimin e hetimeve, ndërsa të tjerët do të njoftohen nesër, në përputhje me procedurën ligjore.
Meqë hetimet nuk u mbyllën deri më 26 tetor, prokurorët morën edhe tre muaj kohë. Megjithatë, ligji nuk thotë se ata duhet ta përdorin të gjithë këtë periudhë. Përfundimin e hetimeve e kanë njoftuar zyrtarisht. Pasi të kalojë afati 10-ditor, dosja përgatitet dhe i dërgohet gjyqtarit të seancës paraprake. Përpara gjykimit në themel, çështja duhet të shqyrtohet prej tij dhe të marrë miratimin e nevojshëm.
Për zonjën Balluku bëhet fjalë për tendera me vlerë mbi 1 miliard euro, të cilët dyshohet se janë paracaktuar. Procedura me vlerën më të madhe lidhet me ndërtimin e tunelit të Llogarasë; të tjera kanë të bëjnë me Unazën e Madhe të Tiranës.
Dyshimet e hetimit përfshijnë një numër biznesmenësh të favorizuar. Arbër Abazi mund të cilësohet si më kryesori, jo për shumën e përfituar, por për raportin klientelist me zonjën Balluku. Abazi bashkëjeton me një të afërme të saj. Bashkëjetuesja e tij, sipas asaj që kam mësuar, ka paguar shpenzimet dhe ka mbikëqyrur punimet në një vilë në Palasë. Dyshohet se prona është rezultat i korrupsionit dhe se Abazi ia ka dhënë Ballukut si ryshfet. Një pjesë e investimeve, sipas meje, janë bërë nga ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare.
Kam dyshime të forta se nuk do të paraqitet një kërkesë e dytë e SPAK-ut në Kuvend për autorizimin e arrestimit të zonjës Balluku. Kjo çështje ka krijuar për herë të parë një klimë të theksuar mosbesimi ndaj institucionit të SPAK-ut.
Zonja Balluku përballet me akuza shumë të rënda. Në rrethana normale, ajo nuk do të duhej të mbahej në ‘arrest në burg’, duke pasur parasysh se është grua dhe ka fëmijë të mitur, në bazë të standardit të ndjekur. Por, së paku, do të duhej të ishte në arrest shtëpie. Kërkesa e parë u rrëzua nga mazhoranca dhe prokurorët nuk e paraqitën sërish, ndonëse ngritën akuza.
Ligji parashikon që hetimet për veprat e korrupsionit të mos zgjasin më shumë se një vit”, tha ajo.







