Dolores Huerta, aktiviste për të drejtat civile dhe organizatore e punëtorëve të bujqësisë në SHBA, ka vdekur në moshën 96-vjeçare. Në vitet 1960, ajo themeloi sindikatën “United Farm Workers” së bashku me Cesar Chavez.
Familja e saj e njoftoi vdekjen të mërkurën, nëpërmjet një deklarate publike. “Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot ka ndërruar jetë nëna jonë e dashur, Dolores Huerta”, thuhej në njoftim, ku familjarët kërkuan privatësi gjatë zisë.
Të lidhura
None found
E lindur më 10 prill 1930 në Dawson, New Mexico, në Shtetet e Bashkuara, Huerta u rrit me vëllezërit dhe motrat nga e ëma, Alicia, pas divorcit të prindërve. Alicia ishte sipërmarrëse dhe angazhohej në komunitetin bujqësor.
Për pjesën më të madhe të jetës së saj, Huerta punoi për përmirësimin e kushteve të punës në bujqësi dhe mbrojtjen e komuniteteve të margjinalizuara. Organizata UFW u shndërrua në një forcë të rëndësishme për paga më të drejta dhe kushte më të mira për punëtorët bujqësorë në SHBA.
Roli i saj në lëvizje për shumë kohë nuk mori të njëjtën vëmendje si ai i Chavez-it, i cili u bë fytyra publike më e njohur e sindikatës. Në fillim të këtij viti, në një intervistë për The New York Times, Huerta tha se Chavez e kishte përdhunuar në vitin 1966, gjatë bojkotit të rrushit të organizuar nga sindikata.
Sipas rrëfimit të saj, Chavez e çoi në një vresht të izoluar në Delano, Kaliforni, ku ndodhi sulmi seksual. Huerta i tha gazetës se nuk e kishte denoncuar këtë rast dhe as një ngjarje të mëparshme, në vitin 1960, kur, sipas saj, Chavez e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale gjatë një udhëtimi pune.

Huerta shpjegoi se heshtja e saj lidhej me mënyrën si policia sillej ndaj lëvizjes së punëtorëve dhe me frikën se anëtarët e sindikatës nuk do ta besonin. Këto janë pretendimet që ajo paraqiti në rrëfimin për The New York Times.
Familja bëri të ditur se njoftimi për ceremonitë përkujtimore do të vijë më vonë. “E kuptoni se po kalojmë një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Kërkojmë privatësi teksa vajtojmë këtë humbje të madhe për familjen tonë”, thuhej në deklaratë.
Të afërmit shtuan se e kuptojnë që njerëz në mbarë botën e ndajnë dhimbjen e tyre dhe se do të bëjnë të ditura më vonë planet për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e Huertës.
Ajo do të kujtohet për dekada angazhimi në mbrojtje të punëtorëve bujqësorë, përpjekjet për barazi dhe kontributin në lëvizjen për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara.





