Zona kufitare ndërmjet Nepalit dhe Tibetit është goditur nga përmbytje të fuqishme dhe rrëshqitje dheu, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në fshatra, rrugë dhe infrastrukturë. Autoritetet kanë vënë në lëvizje ekipet e kërkim-shpëtimit, ndërsa druhen se numri i viktimave mund të jetë i lartë.
Të lidhura
None found
Fatkeqësia përfshiu distriktin Rasuwa, në veri të kryeqytetit Katmandu, në orët e para të së mërkurës. Të dhënat paraprake sugjerojnë se përmbytjet mund të jenë shkaktuar nga shkrirja masive e borës në lumin Bhote Koshi, i cili zbret nga Tibeti në drejtim të Nepalit. Deri në këtë fazë janë shpëtuar 12 persona, ndërkohë që kërkimet po vazhdojnë në të dyja anët e kufirit.
Gjendja paraqitet veçanërisht e rëndë në territorin nepalez. Sipas autoriteteve, 13 oficerë të forcës së armatosur të policisë nga dy poste në distriktin Rasuwa figurojnë të zhdukur. Gjithashtu, është ndërprerë komunikimi me dhjetëra efektivë të tjerë.
Pasojat në infrastrukturë janë të mëdha. Furnizimi me energji elektrike dhe komunikimet janë ndërprerë, ndërsa rrugët kanë pësuar dëmtime. E pakalueshme është bërë edhe arteria kryesore që lidh këtë zonë me Katmandun.
Për t’iu përgjigjur emergjencës, kryeministri nepalez Balendra Shah thirri një mbledhje urgjente. Ai bëri të ditur se në operacion janë përfshirë ekipet mjekësore, skautët dhe Kryqi i Kuq.
Banorëve që jetojnë pranë lumenjve u është kërkuar nga autoritetet të jenë vigjilentë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e tyre.
Edhe vitin e kaluar, Rasuwa u godit nga një përmbytje me pasoja fatale, gjatë së cilës humbën jetën 18 persona. Sipas zyrtarëve, katastrofa e kësaj të mërkure mund të rezultojë më e rëndë se ajo e një viti më parë.
