Kryeministri Hirstijan Mickoski deklaroi se, edhe pas shtrenjtimit të fundit të derivateve të naftës, Maqedonia vazhdon të ketë çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon. Ai tha se qeveria po analizon mundësitë për masa të reja, por theksoi se çdo hap duhet ndërmarrë me kujdes.
Të lidhura
None found
“Nafta në Maqedoni është gjysmë euro për litër më e lirë se në Shqipëri, 35 centë më e lirë se në Serbi dhe 30 deri në 50 centë për litër më e lirë se në të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshirë Greqinë, Kroacinë, Slloveninë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi e të tjera. Kjo vlen si për benzinën pa plumb, ashtu edhe për dizelin”, tha Mickoski.
Sipas tij, shifrat tregojnë se qytetarët e Maqedonisë, por edhe banorë të disa vendeve fqinje, po udhëtojnë drejt stacioneve të karburantit në Maqedoni për të mbushur automjetet e tyre, pasi karburantet blihen nga i njëjti burim. Kryeministri shtoi se qeveria nuk kujdeset vetëm për qytetarët e Maqedonisë.
“Volumi i përgjithshëm i benzinës dhe naftës së shitur është rritur me rreth 50 deri në 60 për qind gjatë muajve të fundit. Pavarësisht kësaj, kemi ruajtur stabilitetin makroekonomik në vend”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ekzekutivi do të ndërhyjë për të ulur çmimet e karburanteve, Mickoski tha se ekziston një plan, por zbatimi i tij kërkon maturi.
“Po, ne po planifikojmë. Kemi një strategji dhe një plan të qartë. Sipas analizave tona, kjo situatë do të vazhdojë. Gjendja në Gjirin Persik mund të zgjasë për disa vjet, ndaj po veprojmë me kujdes, që të mos rrezikojmë stabilitetin makroekonomik të vendit dhe, njëkohësisht, t’u sigurojmë qytetarëve dhe industrisë në Maqedoni karburantet me çmimet më të ulëta”, shtoi Mickoski.
Kryeministri theksoi gjithashtu se Maqedonia regjistron nivelin më të ulët të inflacionit në rajon.
“Inflacionin e kemi zbritur në nivelin më të ulët në rajon, në 2,3 për qind në vit gjatë korrikut, ndërsa në tregtinë me pakicë ai është 1,7 deri në 1,8 për qind”, përfundoi Mickoski.
