Mexhiti: Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut duhet të thellohen më tej

Izet Mexhiti, një nga liderët e VLEN-it, priti në Çarshinë e Vjetër të Shkupit Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Takimi mes tyre u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe u fokusua te raportet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimi institucional dhe mundësitë për zgjerimin e tij në fusha me interes të përbashkët.

Sipas kabinetit të Mexhitit, në bisedë u nënvizua domosdoshmëria e forcimit të marrëdhënieve fqinjësore, të cilat mbështeten në lidhjet historike, kulturore dhe shoqërore mes dy vendeve. Pjesë e diskutimit ishte edhe ruajtja e komunikimit të rregullt ndërmjet institucioneve, si dhe gjetja e hapësirave të reja për bashkëpunim në funksion të zhvillimit dhe interesave të përbashkëta.

Të lidhura

None found

“Ishte një kënaqësi e veçantë ta presim në Shkup Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë lidhje të rëndësishme historike, kulturore dhe vëllazërore, të cilat përbëjnë një themel të fortë për thellimin e bashkëpunimit mes nesh. Në takimin tonë vlerësuam rëndësinë e dialogut të pandërprerë, forcimit të raporteve institucionale dhe avancimit të nismave me interes të përbashkët. Jam i bindur se bashkëpunimi i afërt mes dy vendeve i shërben zhvillimit, stabilitetit dhe perspektivës sonë të përbashkët”, deklaroi Mexhiti.

Pas përfundimit të takimit, Mexhiti falënderoi Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për vizitën dhe i uroi sukses në përmbushjen e detyrave të saj institucionale. Ai rikonfirmoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira dhe vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/


Shtuar më 27.10.2026 19:43