Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, gjatë një prononcimi për gazetarët, ka folur për miratimin me 74 vota të marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh me SHBA-në për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake.
Balla tha se kjo marrëveshje është miratuar me procedurë të përshpejtuar, pasi rrezikohej që huaja të mos disbursohej në shtator. Më tej, ai u shpreh se kjo është mbështetja më e madhe që SHBA i ka dhënë ndonjëherë Shqipërisë.
Të lidhura
None found
“Në 104 vite marrëdhënie mes dy vendeve, kjo është mbështetja më e madhe që SHBA i ka dhënë Shqipërisë. E vërteta është se me SHBA-në kemi pasur një marrëdhënie të fortë dhe, mbi të gjitha, kemi ndjekur një procedurë të përshpejtuar, pasi nëse do ta humbnim këtë javë, do të hynim në një situatë edhe më të vështirë për shkak të sesionit parlamentar dhe do të vihej në dyshim fillimi i disbursimit të saj që në ditët e para të muajit shtator”, tha Balla.
Po ashtu, Balla zbuloi se procedurën dhe negociatat mes dy vendeve i ka ndjekur nga afër edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
“Unë jam i bindur se kemi bërë gjënë e duhur. Fakti që pala e tretë, Presidenti i Republikës, i cili është edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, e ka ndjekur nga afër negociatën për këtë marrëveshje, dëshmon se institucionet shqiptare janë në krye të detyrës. Nuk hezitoj ta quaj një marrëveshje historike, e cila forcon kapacitetet e Shqipërisë. Për ne, si mazhorancë, siguria e vendit është e një rëndësie të veçantë”, u shpreh Balla.
