Një stuhi e fuqishme përfshiu zona të ndryshme të Shkupit, duke prekur edhe rajonin e Haraçinës.
Të lidhura
None found
Bujqësia pësoi goditjen më të rëndë, ku banorët vendas raportojnë humbje të konsiderueshme në të korrat e tyre.
“Ka pasur dëme, por jo kudo në të njëjtën masë. Më janë grisur mbulesat dhe janë dëmtuar disa bimë. Askush nuk na kontaktoi për këtë, ju jeni të parët që vini,” tregoi një prej fermerëve.
Një tjetër shtoi: “Mbulesat e bardha në plantacione janë shkatërruar krejtësisht, ndërsa materiali i tyre i brendshëm ka pësuar dëmtime. Po ashtu, edhe duhani i mbrojtur është prekur rëndë.”
“Nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga askush. Jemi lënë vetëm në mëshirën e Zotit. Shteti nuk na ka përkrahur fare. Jemi të shtrënguar të dalim në televizion për të kërkuar mbështetje nga institucionet,” u ankua një banor tjetër.
Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, deklaroi për Alsat se janë ndërmarrë veprime të menjëhershme për të stabilizuar situatën dhe është kërkuar asistencë nga Ministria e Bujqësisë.
“Fermerët reaguan shpejt dhe na njoftuan për dëmet në produktet bujqësore. Që në agim kontaktuam përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë dhe shqyrtuam alternativën e ngritjes së një komisioni që do të vlerësojë dëmet, në mënyrë që t’u dalim në ndihmë bujqve,” theksoi Beqiri.
Megjithëse stuhia zgjati vetëm pak, pasojat e saj u vunë re në disa sektorë të komunës. U dëmtuan pemë, çati, llamarina mbrojtëse dhe rrugë. Deri në pasdite, gjendja u normalizua falë ndërhyrjes së ekipeve. /Alsat.mk
