Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka shpërndarë në rrjetet sociale një video me tone ironike, përmes së cilës i kërkon kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, të japë shpjegime për një vilë në Itali.
Në mesazhin e tij, Balla vë në diskutim statusin e pronës dhe lë të kuptohet se mund të ketë mospërputhje në deklarimet e Shehajt.
Të lidhura
None found
“O Gono, ku je mo burrë? E shite apo s’e shite atë të shkretën vilë? A është 250, 498, 359? E ke shitur vjet në shtator apo është akoma e jotja? Se mos e nxjerr Kadastra e Italisë që është ende e jotja, se na merr në qafë pastaj. Shihi këto letrat dhe sqaroje pak këtë punë. Dakord, Gono?”, deklaron Balla në video.
Pas publikimit të pamjeve, Agron Shehaj iu përgjigj menjëherë Ballës, duke e akuzuar se kishte bërë publike të dhëna për vendndodhjen e banesës në Itali, ku qëndrojnë bashkëshortja dhe fëmijët e tij.
Nga një video e regjistruar përpara Kryeministrisë, drejtuesi i Partisë Mundësia pretendoi se informacionet për shtëpinë e familjarëve të tij ishin publikuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“Sot Edi Rama ka dërguar Taulant Ballën tek shtëpia ime, ka filmuar shtëpinë ku jetojnë fëmijët e mi, bashkëshortja ime, kur kalojnë verën, me adresë, duke ia bërë me gisht: këtu janë!”, u shpreh Shehaj.
Sipas tij, ky veprim lidhet me përpjekjen e qeverisë për t’u mbyllur gojën deputetëve të Mundësia dhe për t’i penguar ata që të denoncojnë skandalet korruptive të Ramës.
“Pse e bën Edi Rama këtë? Sepse është i dëshpëruar, por një gjë ta kesh të qartë: Ne nuk ndalemi! Nuk na trembni dot, as me filmime dhe as me Taulant-a, as me krimin as me oligarkët, as me mediat tuaja të cilat i financoni me paratë e qytetarëve shqiptarë”, përfundoi Shehaj reagimin e tij.
