Të hënën, më 20 korrik 2026, Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë seancën e fundit plenare të këtij sesioni. Mbledhja zhvillohet në një periudhë tensionesh të larta politike dhe pritet të karakterizohet nga debate të ashpra dhe përplasje ndërmjet mazhorancës dhe opozitës.
Deputetët do të mblidhen ndërsa vendi po përballet prej afro 50 ditësh me protesta masive, në të cilat kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Përpara mbylljes së sesionit, parlamenti do të shqyrtojë një rend dite të ngarkuar me raporte vjetore të institucioneve dhe nisma ligjore.
Të lidhura
None found
Rendi i ditës është miratuar në bazë të urdhrit nr. 46, datë 17.7.2026, të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Në të përfshihen raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)” dhe disa projektrezoluta që vlerësojnë punën e institucioneve të pavarura.
Në seancë do të merren në shqyrtim raportet për vitin 2025 të Avokatit të Popullit, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Për secilën pikë parashikohet prezantimi i raportit përkatës dhe drejtimi i pyetjeve nga deputetët, ndërsa debatet parlamentare do të zhvillohen nëse kërkohen. Rregullorja e Kuvendit përcakton që koha e diskutimeve të ndahet mes shumicës dhe pakicës, sipas minutazhit të caktuar për grupet parlamentare.
Kjo mbledhje pritet të jetë edhe përballja e fundit në parlament përpara ndërprerjes së punimeve për pushimin e sesionit.
Rendi i ditës, i përcaktuar në mbështetje të urdhrit nr. 46, datë 17.7.2026, të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, nis me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 16.7.2026. Kjo pikë mbështetet në nenin 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit.
Pika e dytë lidhet me njoftimet dhe bazohet në nenin 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit.
Në pikën e tretë do të paraqitet raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025. Shqyrtimi mbështetet në ligjin nr. 15/2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të ndryshuar, si dhe në nenin 103/2 të Rregullores së Kuvendit. Raporti do të prezantohet nga bashkëkryetarët.
Pika e katërt është projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”. Nisma shqyrtohet në bazë të neneve 78, 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, si edhe neneve 55 dhe 73 të Rregullores së Kuvendit. Për miratimin e saj kërkohet shumicë e thjeshtë votash.
Procedura për këtë projektligj parashikon pyetje, qëndrimin e nismëtarit dhe të Komisionit përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Mendim do të japin edhe Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme, ndërsa më pas do të zhvillohen diskutimet me qëndrimet e grupeve parlamentare.
Në pikën e pestë është përfshirë projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025”. Ajo mbështetet në nenin 63 të Kushtetutës, nenin 26 të ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, dhe nenin 103 të Rregullores së Kuvendit. Edhe për miratimin e kësaj projektrezolute nevojitet shumicë e thjeshtë votash.
Sipas procedurës, Avokati i Popullit do ta paraqesë raportin për jo më shumë se 10 minuta, pas së cilës do të vijojnë pyetjet. Në zbatim të nenit 103, pika 7, të Rregullores së Kuvendit, pyetjet duhet të depozitohen me shkrim jo më vonë se 24 orë përpara seancës plenare.
Projektrezoluta do të prezantohet nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Më pas mund të zhvillohet debat parlamentar.
Në bazë të nenit 103, pika 8, të Rregullores së Kuvendit, zhvillimi i debatit mund të kërkohet me shkrim nga një komision i përhershëm, një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 10 deputetë. Debati nuk mund të zgjasë më shumë se 120 minuta dhe koha ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet shumicës dhe pakicës, duke marrë në konsideratë edhe deputetët që nuk bëjnë pjesë në grupet parlamentare.
Nëse kërkohet debat, Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ketë 71 minuta, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike 30 minuta, Grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” 6 minuta, Grupi parlamentar “Partia e Lirisë” 6 minuta dhe deputetët jashtë grupeve parlamentare 7 minuta.
