Edhe pas një jave, Lista Serbe nuk ka bërë asnjë deklaratë publike lidhur me qëndrimet e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila ka thënë se nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Të lidhura
None found
Subjekti politik që përfaqëson shumicën e serbëve të Kosovës, i njohur për lidhjet e afërta tradicionale me Beogradin, nuk ka publikuar deri tani asnjë reagim zyrtar nga drejtuesit e tij për këtë çështje.
Deklarata e Paunoviqit u bë fundjavën e kaluar gjatë një emisioni në Kuririn serb. KosovaPress raportoi të hënën për deklaratat e saj fashiste, ndërsa më pas pati reagime nga akterë politikë në rajon dhe më gjerë.
Institucionet e Kosovës i kanë vlerësuar fjalët e ministres serbe si nxitje të urrejtjes dhe glorifikim të krimeve të luftës. Si pasojë, Paunoviq është shpallur persona non grata dhe ndaj saj është dorëzuar kallëzim penal për deklaratat e bëra.
Qëndrimet e saj janë dënuar edhe nga shtete të rajonit, si dhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka theksuar se nuk mund të ketë hapësirë për retorikë që promovon apo arsyeton spastrimin etnik. Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, e dënoi deklaratën dhe tha se është e habitur që Paunoviq vazhdon të jetë ministre në Qeverinë e Serbisë.
Për heshtjen e Listës Serbe ka folur sot edhe kryeredaktorja e KoSSev-it, Tatjana Lazareviq. Sipas saj, deklarata e Paunoviqit është një rast tipik i përdorimit të gjuhës së urrejtjes, transmeton KosovaPress.
Të enjten është paraqitur edhe kërkesa zyrtare për shkarkimin e saj nga posti i ministres në Serbi.
