Pekini ka kundërshtuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me një ndërhyrje të pretenduar të Kinës në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020, duke i quajtur ato “trillime të pastra”.
Të lidhura
None found
Në një fjalim televiziv, Trump ripërsëriti akuzat se Kina kishte ndikuar në procesin zgjedhor. Ai pretendoi se Pekini realizoi “hakerimin më të madh të të dhënave zgjedhore në histori”, duke marrë në mënyrë të paligjshme 220 milionë dosje të votuesve amerikanë dhe duke tentuar të manipulonte zgjedhjet në favor të kundërshtarit të tij të atëhershëm, Joe Biden.
Këto pretendime u hodhën poshtë nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, gjatë një konference për shtyp.
“Akuzat e bëra nga pala amerikane nuk janë gjë tjetër veçse trillime të pastra dhe shpifje dashakeqe, të cilat prej kohësh janë vërtetuar si të pabaza”, tha ai.
Lin Jian deklaroi se Kina nuk ka pasur interes dhe nuk ka ndërhyrë asnjëherë në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.
“Përkundrazi, bashkësia ndërkombëtare e sheh qartë se kush është ai që zakonisht ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera”, shtoi zëdhënësi kinez.
Ai u kërkoi gjithashtu autoriteteve amerikane që të heqin dorë nga, siç i cilësoi ai, akuzat pa bazë ndaj Pekinit dhe të angazhohen për përmirësimin e raporteve mes dy shteteve.
Trump e ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme pretendimin se Joe Biden ia “vodhi” zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Megjithatë, këto pretendime nuk janë mbështetur me prova. Dhjetëra padi të paraqitura pas zgjedhjeve u rrëzuan nga gjykatat, ndërsa edhe zyrtarë të administratës së tij kanë thënë se nuk u gjetën prova për mashtrim zgjedhor që do të ndryshonte rezultatin.
Presidenti amerikan njoftoi po ashtu se do të deklasifikojë dokumente, për të cilat thotë se mbështesin akuzat e tij mbi ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2020.
