Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, kërkoi në Kuvend një sqarim të plotë nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me sinjalizimet për rrezik që u bënë përpara protestës së Tetovës.
Të lidhura
None found
Pyetja e tij ishte e prerë: a kishte informacione konkrete dhe operative për ndonjë rrezik, apo qytetarët u alarmuan pa asnjë shkak? Ndonëse në seancë ishte i pranishëm zv/ministri i Punëve të Brendshme, i cili mund të përgjigjej në emër të ministrit, ai zgjodhi të qëndrojë në heshtje. Deputetit Snopçe iu komunikua se përgjigjja do t’i dërgohet me shkrim.
Një sjellje e tillë nuk i zhduk paqartësitë, përkundrazi, i thellon ato edhe më tepër.
Protesta në Tetovë përfundoi pa asnjë incident dhe në qetësi të plotë. Megjithatë, deklaratat dramatike që dha para saj Ministri i Ekonomisë mbeten të pambështetura nga fakte apo të dhëna zyrtare të institucioneve përgjegjëse për sigurinë. Qytetarët kanë të drejtë ta dinë nëse ato pohime bazoheshin në vlerësime serioze të sigurisë apo ishin thjesht një retorikë politike që synonte të frikësonte njerëzit dhe të ndikonte në pjesëmarrjen e tyre në tubim.
Nga Aleanca për Shqiptarët rikujtojnë se e drejta e protestës garantohet nga Kushtetuta dhe se askush nuk mund ta kufizojë atë nëpërmjet kanosjeve, manipulimit apo deklarimeve pa bazë.
Ata kërkojnë që MPB të japë një përgjigje të plotë dhe transparente. Nëse ka pasur vërtet informata për rrezik, ato duhet të bëhen të njohura për publikun. Nëse nuk ka pasur, atëherë duhet shpjeguar se mbi çfarë baze u alarmua opinioni.
