Snezhana Paunoviq, ministre për Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisjen Lokale në Serbi, deri tani nuk ka kërkuar ndjesë nga shqiptarët e Kosovës lidhur me deklaratën se, po të ishte në pozitën e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do të kryente spastrim etnik kundër tyre.
Të lidhura
None found
Në vend të kësaj, ajo u ka shprehur keqardhjen presidentit Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit Gjuro Macut. Ministrja pretendon se këta të dy u sulmuan padrejtësisht për shkak të fjalëve të saj, të cilat, sipas saj, u keqinterpretuan.
Gjatë një interviste për televizionin Informer, Paunoviq e cilësoi si veprim keqdashës izolimin e vetëm shtatë sekondave nga i gjithë emisioni, duke pretenduar se mbi atë fragment u sajua një rast politik.
Ajo sqaroi se ishte thjesht një tregim personal dhe jo një qëndrim zyrtar. “Ajo ishte historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të shpjegosh se kjo nuk është politikë e presidentit dhe as e Qeverisë,” theksoi Paunoviq, raporton Danas, transmeton KosovaPress.
Pas valës së reagimeve që shkaktoi deklarata e saj, Paunoviq i falënderoi mbështetësit, duke përmendur veçanërisht Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), ku ajo bën pjesë. Ajo kritikoi gjithashtu mediat që, sipas saj, e dënuan deklaratën, duke shtuar se ata që e përkrahën treguan se mbrojnë “dinjitetin dhe nderin e tyre”.
