Drejtuesit e Como-s kanë dhënë dritën jeshile për ofertën e Udineses për mbrojtësin e përfaqësueses së Kosovës, Mërgim Vojvoda. Tani lojtari do të nisë bisedimet për aspektet personale të kontratës, në mënyrë që të kryhet zyrtarisht ky operacion në merkato.
Anësori i djathtë i kombëtares “Dardane” është 31 vjeç dhe lidhja e tij aktuale me skuadrën e Stadio Sinigaglia-s skadon në verën e vitit 2028. Vojvoda kaloi në radhët e Como-s në shkurt të 2025-ës nga Torino, në një marrëveshje që i kushtoi klubit 2 milionë euro, ndërsa më herët kishte veshur fanellën e Standard Liege-it.
Të lidhura
None found
Në garë për shërbimet e tij ishin futur edhe emra si Cagliari, Venezia dhe Monza, por nga të dhënat e fundit rezulton se Udinese ka marrë një avantazh të qartë në drejtim të sigurimit të kartonit të mbrojtësit kosovar.
Sipas informacioneve të zbuluara nga gazetari i Sportitalia-s, Gianluigi Longari, klubi friulan ka paraqitur një propozim konkret për Vojvodën, propozim i cili tashmë ka marrë miratimin nga ana e Como-s.
Detajet financiare të kësaj lëvizjeje i bën të ditura Sky Sport Italia, duke nënvizuar se oferta kap shifrën e 1.3 milionë eurove, plus 300 mijë euro të tjera të lidhura me bonuse të ndryshme.
Mbrojtësi i gjithanshëm shquhet për aftësinë për të mbuluar disa pozicione në fushë. Ai mund të aktivizohet si qendërmbrojtës në një linjë me tre lojtarë, në të dyja krahët e prapavijës, si dhe në një rol më sulmues në krahun e djathtë. Sezonin e kaluar, Vojvoda regjistroi 34 ndeshje me fanellën e Como-s, duke përfshirë garat në Serie A dhe Coppa Italia, ku arriti të shënojë dy gola dhe të sigurojë tre pasime vendimtare për gol.
