Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se institucionet shtetërore po vihen në shërbim të mbikëqyrjes dhe kontrollit të aktivitetit të qytetarëve në rrjetet sociale, në një periudhë të tensionuar nga protestat e fundit.
Në komunikimin me mediat, lideri i PD-së, Sali Berisha, e përshkroi këtë veprim si goditje ndaj lirisë së shprehjes dhe bëri të ditur se opozita do të kërkojë krijimin e një komisioni hetimor parlamentar.
Të lidhura
None found
Sipas Berishës, qeveria ka dhënë urdhër që Policia e Shtetit dhe shërbimet informative të ndjekin veprimtarinë digjitale të protestuesve dhe qytetarëve, jo vetëm për komentet kundër qeverisë, por edhe për vlerësimet negative ndaj bizneseve që ai i sheh si të lidhura me pushtetin.
Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha
I tronditur nga vala e protestës rinore dhe qytetare, i damkosur brenda dhe jashtë vendit, Edi Rama urdhëroi së fundmi narkopolicinë e tij dhe shërbimin informativ të monitorojnë veprimtarinë digjitale dhe rrjetet sociale të protestuesve, në të vërtetë të gjithë qytetarëve.
Këtë herë, sipas Berishës, objekt i survejimit nuk janë vetëm sulmet ndaj vetë Edi Ramës, për të cilat ai thotë se është betuar si hakmarrës primitiv se “ata që më vijnë mbrapa, do të më kenë prapa”, por edhe përshtypjet dhe komentet negative për bizneset e afërta me qeverinë.
Partia Demokratike e konsideron të pakufizuar të drejtën e çdo qytetari për të shprehur vlerësimin e tij për çdo shërbim privat apo publik që merr, ndaj për klientin që ka marrë shërbimin nuk mund të ketë asnjë pengesë.
Po ashtu, sipas PD-së, çdo qytetar ka të drejtë të shprehë lirshëm mendimin dhe opinionin e tij në rrjetet sociale për çdo temë dhe për cilindo.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike thekson se nuk pranon kurrë komente të rreme nga llogari false për shërbime që nuk janë përdorur asnjëherë, pasi ato synojnë të dëmtojnë konkurrencën e ndershme. Megjithatë, ajo shpreh dyshime të rënda se këto përshtypje negative të fabrikuara janë organizuar nga patronazhistët e qeverisë në funksion të qëllimeve të errëta represive dhe censuruese të saj.
Fakti që kjo çështje del pikërisht në kulmin e protestës rinore e qytetare, sipas deklaratës, tregon qartë se:
Kjo fushatë, e paraqitur si luftë kundër përshtypjeve të rreme negative, është organizuar nga narkoinstitucionet dhe patronazhistët me synimin për të goditur eksponentët dhe pjesëmarrësit e protestës;
Në emër të identifikimit të autorëve të këtyre përshtypjeve negative, kërkohet një arsye për të vendosur një mbikëqyrje të plotë, digjitale dhe masive mbi veprimtarinë online të qytetarëve;
Qëllimi kryesor i Edi Ramës është kontrolli i komenteve të qytetarëve kundër tij dhe kundër qeverisë së tij;
Përmes policimit digjital, po përgatitet terreni që, ashtu si me TikTok-un dhe duke ndjekur shembullin e Ajatollahëve, të bllokohen mijëra llogari dhe, nëse është e mundur, edhe rrjetet sociale në tërësi.
Për këto arsye, Partia Demokratike e dënon me ashpërsinë më të madhe, si një atentat të rëndë ndaj fjalës së lirë, mendimit dhe shprehjes, vendimin e Edi Ramës për kontrollin dhe policimin e rrjeteve sociale të qytetarëve, si edhe të statuseve dhe komenteve të tyre në këto rrjete.
Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për këtë veprimtari antikushtetuese të narko-institucioneve të regjimit të Edi Ramës.
