Studentët protestojnë te Drejtoria e Policisë për lirimin e Edison Likës dhe Dritan Goxhajt pas përplasjeve te Kryeministria

Lirimi i menjëhershëm i aktivistëve Edison Lika dhe Dritan Goxhaj është kërkesa e studentëve dhe qytetarëve që mbrëmjen e kësaj të mërkure e vijuan protestën para Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë. Zhvendosja e tubimit erdhi pas tensioneve dhe përplasjeve të forta përpara Kryeministrisë.

Dy aktivistët u shoqëruan forcërisht nga policia gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sipas informacioneve nga tubimi, konflikti filloi kur efektivët i gjobitën për organizimin e një tubimi të paligjshëm. Pasi Lika dhe Goxhaj nuk pranuan të merrnin fletët e gjobave, policët ndërhynë për t’i shoqëruar me forcë.

Të lidhura

None found

Pjesëmarrësit në protestë e kundërshtojnë këtë veprim, me pretendimin se tubimi ishte i ligjshëm dhe se autoritetet kishin marrë njoftim paraprak për mbajtjen e tij në bulevard. Ata e cilësojnë të pajustifikuar ndërhyrjen policore dhe këmbëngulin në të drejtën e tyre për të protestuar.

Shoqërimi i Likës dhe Goxhajt solli një acarim të fortë të situatës para Kryeministrisë. Për të mos lejuar largimin e furgonit të policisë, disa vajza dhe qytetarë u vendosën përpara tij, duke formuar një gardh njerëzor.

Tensionet kaluan më pas në përleshje fizike ndërmjet efektivëve dhe protestuesve. Gjatë ndërhyrjes policore u përdor edhe spraj me piper, ndërsa disa vajza shfaqën shqetësime shëndetësore dhe u morën nga shërbimi i ambulancës për ndihmë mjekësore.

Pas incidenteve, studentët dhe qytetarët zgjodhën ta vazhdonin tubimin pranë Drejtorisë së Policisë, ku kërkuan që të dy aktivistët të liroheshin menjëherë.


Shtuar më 4.11.2026 20:24