Çështja hetimore që nisi në Prokurorinë e Vlorës për falsifikimin e dokumenteve në funksion të tjetërsimit të pronave në zonat e Rradhimës, Dukatit dhe Orikumit, tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencën dhe dosjen penale ia ka përcjellë SPAK-ut, i cili, mbi bazën e disa kallëzimeve të bëra nga banorë të zonës, ka regjistruar një procedim penal.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, bëhet e ditur se SPAK i ka kërkuar Prokurorisë së Vlorës edhe të gjitha aktet hetimore të përgatitura prej saj gjatë fazës së hetimeve paraprake.
Mbi bazën e këtyre akteve, SPAK dhe Prokuroria e Vlorës kanë zhvilluar kontrolle në disa banesa në Vlorë, si edhe në zyrën e hipotekës së këtij qyteti.
Sipas të dhënave, oligarkë të fuqishëm, në lidhje edhe me banorë vendas, kanë tjetërsuar dhe më pas kanë hipotekuar sipërfaqe të mëdha toke bujqësore, duke nxjerrë jashtë loje pronarët që i kishin përfituar ngastrat e tokës në bazë të ligjit 7501.
Mësohet se kallëzimi është dorëzuar nga një grup banorësh të Kuvendit të Orikumit, Radhimës dhe Dukatit, të cilët kanë paraqitur kallëzime penale si në Prokurorinë e Vlorës, ashtu edhe në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve” në kuadër të “Grupit të Strukturuar kriminal”.
