Audioincizim i ri i bisedës së Arlinda Zekajt me policin: I tha të kthehej në shtëpi, edhe pse personat për të cilët pyeste do të ishin aty

Një audioincizim i publikuar të martën nga avokati Besnik Berisha sjell bisedën që Arlinda Zekaj zhvilloi me një zyrtar policor para vrasjes së saj. Në të, ajo kërkon të dijë si po trajtohej rasti i saj nga Policia dhe Prokuroria.

Polici e pyet nëse hetuesi i kishte dhënë ndonjë shpjegim, por Arlinda i përgjigjet se nuk i kishte treguar asgjë. Më pas, ai i thotë se mund të flasë edhe me avokaten e saj për atë që kishin thënë hetuesi dhe prokurorja kujdestare.

Të lidhura

None found

Sipas shpjegimit të policit, kamerat e sigurisë do të shqyrtoheshin të nesërmen. Ai sqaron se, për momentin, çështja nuk konsiderohej rast, por ishte regjistruar si shënim zyrtar, të cilin e përshkruan si një lloj «gjysëm-rasti». Kur Arlinda e pyet për cilat kamera bëhej fjalë, ai i përgjigjet se ishin kamerat e shtëpisë.

Arlinda më pas kërkon të dijë çfarë kishte thënë prokurorja për kthimin e saj në shtëpi. Polici i përgjigjet se duhej të kthehej. Ajo e pyet nëse personat për të cilët shqetësohej nuk do të ishin më aty, por ai i konfirmon se do të ndodheshin në shtëpi.


Shtuar më 3.11.2026 22:29