Në Konferencën e Sigurisë në Berlin, Hoxhaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO

Enver Hoxhaj, ish-kryediplomat, mori pjesë në debatin e nivelit të lartë “Angazhimi i besueshëm në Jug”, të zhvilluar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Berlin. Ai bëri thirrje për një rol më të fuqishëm të Bashkimit Evropian në Ballkan.

Duke publikuar në Facebook fotografi nga paneli, Hoxhaj e përshkroi situatën ndërkombëtare si një periudhë pasigurie dhe ndryshimesh të thella. Sipas tij, rendi i deritanishëm botëror po shpërbëhet, ndërsa një rend i ri ende nuk ka marrë formë.

Të lidhura

None found

Hoxhaj tha se dobësimi i institucioneve ndërkombëtare dhe ambiciet perandorake të Rusisë kërkojnë angazhim më të madh të BE-së në Ballkan, edhe në çështjet e sigurisë.

Në panel morën pjesë gjithashtu gjenerallejtënant Iulian Berdila, zëvendësshef i Mbrojtjes për Operacione dhe Trajnim në Rumani, dhe gjenerallejtënant Nuno Lemos Pires, drejtor i Politikës Kombëtare të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes të Portugalisë. Debati u moderua nga Javier Colomina, përfaqësues i posaçëm i NATO-s për Fqinjësinë Jugore.

Për Kosovën dhe rajonin, Hoxhaj e cilësoi të domosdoshëm angazhimin afatgjatë të partnerëve euroatlantikë. Ai theksoi se prania e qëndrueshme e BE-së dhe NATO-s është jetike për paqen dhe të ardhmen euroatlantike.


Shtuar më 3.11.2026 22:29