Kryeministri Edi Rama deklaroi se nisma e bërë publike sot, e bashkërenduar nga ministri Demo, Karakaçi dhe AKEP, vjen në momentin e duhur dhe kërkon organizim të mirëfilltë si edhe disiplinë të lartë për t’u realizuar me sukses, për të gjitha arsyet e paraqitura nga ministri i Pushtetit Vendor.
Sipas tij, tashmë ekzistojnë kushtet për të pastruar qytetet nga ajo që ai e cilësoi si “merimanga” fijesh plastike, të mbetura nga një periudhë zhvillimi që kishte edhe pasojat e veta, por që ishte po ashtu i nevojshëm. Rama theksoi se, siç tregon inventari, pjesa më e madhe e kabllove nuk janë më funksionale dhe kanë mbetur aty si shenjë e harresës dhe mungesës së kujdesit.
Të lidhura
None found
Ai bëri të ditur edhe një tjetër nismë, të shtrirë në disa drejtime strategjike për komunitetet në vend, e cila do të prezantohet në një konferencë të pushtetit vendor gjatë 10-ditëshit të parë të korrikut.
Bëhet fjalë për një program të Rilindjes 2.0, nën kujdesin e ministrit Demo, që synon të trajtojë disa elementë për të cilët, sipas Ramës, ka ardhur momenti të marrin drejtim shtetëror dhe të përfshijnë pjesët e mbetura pa investime. Ai nënvizoi se këto pjesë janë më të pakta sesa ato ku janë bërë investime në ujësjellës-kanalizime, ndryshe nga sa, sipas tij, thuhet në diskursin e përditshëm negativ.
Programi, shtoi ai, do të përqendrohet te nevoja për ndërhyrje gjithëpërfshirëse dhe do të japë përgjigje për nevoja që ende nuk janë adresuar. Një prej objektivave është kalimi në një tjetër nivel të transportit urban dhe interurban, duke e nisur nga transporti urban.
Rama u shpreh se pika më e dobët e sistemit të industrisë së turizmit mbetet transporti gjatë sezonit të pikut, periudhë kur turistët e kanë të vështirë të lëvizin me mjete të ofruara nga sektori publik.
Objektivi, sipas tij, është hyrja në një fazë ku transporti të jetë i gjelbër, me autobusë elektrikë. Po ashtu, ai foli për ngritjen e një sistemi për përdorimin dhe administrimin e mjeteve që do të jenë nën administrimin e bashkive.
Sipas Ramës, ky do të jetë një bashkëpunim mes qeverisë dhe bashkive. Ai tha se sistemi është pilotuar me sukses në Dibër dhe se tani do të shtrihet në të gjithë territorin, duke përfshirë edhe një park logjistik.
