Pas aksidentit tragjik ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos rëndë një tjetër, është pezulluar nga detyra zinxhiri komandues i Policisë së Durrësit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e drejtuesit të policisë së Durrësit, Afrim Tafa, zëvendës drejtorit të Rendit dhe Sigurisë Publike Zija Sulaj, si edhe shefit të Policisë Rrugore Kreshnik Skëndo.
Të lidhura
Gjithashtu, kryepolici ka urdhëruar ngritjen e një grupi ekspertësh, të cilët kanë shkuar në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Ndaj uniformave blu ka nisur një hetim disiplinor për ë vlerësuar nëse ka pasur përgjegjësi ose jo nga radhët e tyre.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast”, njoftoi Policia.
Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, 57-vjeç, teksa drejtonte automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijët të moshave 8, 10 dhe 12-vjeç, që ndodheshin në trotuar.
Dy prej tyre, 10 dhe 12-vjeçari, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.
Drejtuesi i mjetit rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas ngjarjes, ai u largua nga vendi i aksidentit, por u vu në pranga më pas nga policia. 57-vjeçari rezultoi se ishte ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë parakalime të gabuara dhe tejkalim shpejtësie ndërsa i ishte pezulluar patenta nga 1 muaj.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtim i automjetit në gjendje të dehur” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.
Njoftimi i Policise se Shtetit:
Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.



