Aksidenti tragjik në Durrës/ Mbeti i plagosur nga aksidenti ku humbën jetën dy të miturit, si paraqitet gjendja shëndetësore e 8-vjeçarit

Aksidenti tragjik i ditës së djeshme tronditi opinionin, me dy fëmijë të mitur që humbën jetën, pasi u përplasën nga automjeti i drejtuar nga Nikoll Radaçi.

Burime nga Spitali i Traumës, bëjnë me dije se 8-vjeçari i cili u plagos dje, është jashtë rrezikut për jetën. Vogëlushi do të transferohet në pavion dhe do të trajtohet në SUT për dëmtimet e marra.

Në aksidentin e ndodhur dje, humbi jetën vëllai i 8-vjeçarit dhe kushëriri i tij.

Radaçi u arrestua nga policia e Durrësit, ndërsa fillimisht ai u largua nga vendngjarja me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në komisariat ku më pas edhe është arrestuar.

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.


Shtuar 4.05.2026 09:58