Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se “armiqtë tanë po humbasin dhe Amerika po fiton”, gjatë nisjes së një fjalimi drejtuar kombit lidhur me operacionin ushtarak të koduar “Epic Fury”.
Në fjalën e tij, Trump mbrojti vendimin për të shpallur luftë kundër Iranit, duke e cilësuar regjimin e Teheranit si “vrasës” dhe duke e akuzuar për mijëra viktima mes protestuesve ndër vite.
Të lidhura
None found
Ai theksoi se ndërhyrja amerikane, ka dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Iranit dhe ka kufizuar kërcënimin bërthamor.
Gjithashtu, Trump theksoi se nuk mund të lejohet që Teherani të zhvillojë armë bërthamore.
“Gjatë katër javëve të fundit, forcat tona të armatosura kanë arritur fitore të shpejta, vendimtare dhe dërrmuese, fitore që bota nuk i ka parë më parë”, deklaroi ai, duke i cilësuar bombardimet si suksese të jashtëzakonshme ushtarake.
Presidenti amerikan u shpreh optimist për arritjen e objektivave strategjikë, duke thënë se SHBA ndodhet pranë realizimit të tyre.
Ai kërkoi durim nga qytetarët amerikanë, duke e konsideruar luftën si një “investim” për të ardhmen e vendit.
Në një ton paralajmërues, Trump deklaroi se sulmet do të intensifikohen në javët në vijim.
“Do t’i godasim shumë fort gjatë dy deri në tre javëve të ardhshme. Do t’i kthejmë në epokën e gurit”, u shpreh ai, duke shtuar se nëse nuk arrihet një marrëveshje, SHBA mund të godasë njëkohësisht infrastrukturën energjetike të Iranit.
