Mashtrimi me Call Centera-t, Apeli i GJKKO-së liron nga burgu 4 prej të arrestuarve (EMRAT)

Apeli i GJKKO-së, ka ndryshuar masat e sigurisë për katër personat e arrestuar në kuadër të operacionit të SPAK kundër mashtrimit me Call Center-a në Tiranë.

Më konkretisht, është ndryshuar masa për shtetasit Elis Merkaj, Endri Gjata, Remir Gjoligaj dhe David Qerimi, të cilët fillimisht u lanë në burg, por pas ankimimit të tyre, Apeli ka ndryshuar masën duke i lënë në “arrest në shtëpi”.

Katër të lartpërmendurit u arrestuan së bashku me 4 persona të tjerë, në kuadër të operacionit të SPAK në një nga kullat e kryeqytetit, ku funksiononin disa call center.

SPAK  dyshon se call center-at shërbenin si struktura të organizuara për mashtrime financiare, kryesisht ndaj shtetasve të huaj, përmes telefonatave dhe platformave online.

Sipas hetimeve, punonjësit prezantoheshin si përfaqësues të platformave të investimeve online dhe i bindnin “klientët” të investonin shuma parash në faqe të rreme, duke u premtuar fitime të shpejta dhe të sigurta.

Paratë transferoheshin më pas në llogari bankare të kontrolluara nga personat e përfshirë në skemë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje elektronike, telefona celularë, dokumente dhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të skemës së mashtrimit.

Masat e sigurisë të caktuara nga GJKKO për 8 të arrestuarit:

Remir Gjoligaj – arrest me burg

Endri Gjata – arrest me burg

David Qerimi – arrest me burg

Elis Merkaj – arrest me burg

Hysen Xhepexhiu – arrest me burg

Klaudio Kaçupi – arrest me burg

Rentjan Peposhi – arrest me burg me afat 20 ditë

Odeas Kuqi – arrest me burg me afat 20 ditë

Në kërkim mbeten pronarët e call center-it vëllezërit Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj.


Shtuar 24.02.2026 15:57