Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se situata ekonomike dhe sociale e vendit po përkeqësohet dita-ditës.
Në një deklaratë për mediat, ajo tha se në një kohë kur mijëra shqiptarë po braktisin vendin për shkak të papunësisë, pagave të ulëta dhe mungesës së shpresës për një të ardhme më të mirë, të dhënat e deklarimit vjetor të pasurisë së Kryeministrit Edi Rama dhe bashkëshortes së tij tregojnë të ardhura, shpenzime dhe investime të konsiderueshme, të cilat ngrenë pikëpyetje serioze për mënyrën se si janë siguruar.
Ndër të tjera në deklaratë thuhet se, në vitin 2023, zonja Rama kishte blerë një pasuri të paluajtshme me vlerë 429 mijë euro, për të cilën kishte paguar 200 mijë euro, ndërsa diferencën prej 229 mijë euro kishte deklaruar se do ta shlyente brenda vitit 2024.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Ndërkohë që mijëra shqiptarë vijojnë të largohen nga vendi për shkak të papunësisë, pagave të ulëta dhe pamundësisë ekonomike, pasuria e familjes kryeministrore vijon të rritet nga viti në vit. Sipas formularit të deklarimit të pasurisë të dorëzuar më 31 mars 2025, (për vitin 2024), Kryeministri Edi Rama ka deklaruar të ardhura në vlerën 36.7 mijë euro nga paga si Kryeministër, rreth 9.2 mijë euro më shumë se në vitin pararendës dhe të ardhura të tjera në shumën 71 mijë euro .
Në total të ardhura monetare 108 mijë euro në vit ndryshe mesatarisht 9 mijë euro në muaj. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka deklaruar për të njëjtin vit të ardhura në shumën 90 mijë euro, duke vijuar të shkëlqejë në tregun e pasurive të paluajtshme. Ndërsa në vitin 2023, zonja Rama kishte blerë një pasuri të paluajtshme me vlerë 429 mijë euro, për të cilën kishte paguar 200 mijë euro, ndërsa diferencën prej 229 mijë euro kishte deklaruar se do ta shlyente brenda vitit 2024.
Në deklarimin e fundit, ajo njofton se e ka shlyer këtë totalisht këtë detyrim, falë ndihmës edhe një kredie prej 200 mijë euro, të marrë në qershor 2024. Gjithashtu, po në të njëjtin vit ajo deklaron blerjen e një pasurie tjetër të paluajtshme me sipërfaqe 118 m², kundrejt çmimit 107 mijë euro ose 910 euro për metër katror. Pra, vetëm për vitin 2024, shpenzimet për blerje pasurish të paluajtshme të zonjës Rama kapin vlerën 336 mijë euro.
