Të mërkurën, Komisioni Evropian miratoi Paketën e Zgjerimit dhe raportet e progresit për shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Raportet për Kosovën dhe Serbinë ishin ndër çështjet e trajtuara me vëmendje të veçantë.
Gjatë prezantimit në Parlamentin Evropian të raportit për Kosovën, komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, tha se bllokadat institucionale dhe kriza politike kanë penguar zbatimin e reformave evropiane gjatë periudhës së raportimit.
Të lidhura
None found
Ajo vuri në dukje se kohët e fundit Kosova e ka përshpejtuar zbatimin e agjendës së reformave. Sipas saj, forcimi i qëndrueshmërisë institucionale mund t’i hapë rrugë përparimit të vendit.
“Gjatë periudhës raportuese, bllokada institucionale ka ndikuar në zbatimin e reformave të lidhura me Bashkimin Evropian. Sidoqoftë, së fundmi Kosova ka intensifikuar punën për agjendën e reformave. BE-ja e ka përshëndetur zgjedhjen e presidentes së re dhe shpresojmë që stabiliteti i ripërtërirë institucional t’i krijojë Kosovës mundësi për të ecur përpara”, deklaroi Kos.
Amendamentet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, ishin gjithashtu pjesë e diskutimit. Kos paralajmëroi se ndryshimet e këtij ligji mund të bëhen pengesë për integrimin evropian dhe njoftoi se BE-ja po e trajton çështjen me Qeverinë e Kosovës. Ajo theksoi se pret që Kosova të përmbushë detyrimet e veta.
Gjatë konferencës për media u diskutua edhe mundësia që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Sipas Kos, për të avancuar nevojitet fillimisht pajtimi i të gjitha 27 shteteve anëtare, të cilat duhet t’i kërkojnë Komisionit Evropian të hartojë një opinion mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Komisioni është i gatshëm ta përgatisë opinionin, tha ajo, por Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme dhe përparim në reforma, në mënyrë që të fitojë mbështetjen e shteteve anëtare.
Raportet e progresit për Kosovën dhe Serbinë kërkojnë gjithashtu zbatimin e obligimeve që burojnë nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, foli për vijimin e dialogut dhe mundësinë e një takimi të nivelit të lartë mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.
Kallas tha se është takuar me të dyja palët dhe se liderët kanë shprehur gatishmërinë për t’u ulur së bashku në një takim me të.
Ajo bëri të ditur se përgatitjet për takimin kanë nisur dhe se procesin po e ndihmon edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë.
Sidoqoftë, sipas zhvillimeve të fundit, takimi i ardhshëm i nivelit të lartë pritet të mbahet vetëm pasi të formohet Qeveria e re në Beograd.






